Pas vdekjes së Saulit, Davidi mundi Amalekun dhe u kthye e ndenji dy ditë në Ciklag. Ditën e tretë erdhi një njeri prej aradheve të Saulit, me rroba të shqyera dhe kokën mbuluar me dhe. Kur mbërriti te Davidi, ra përdhe dhe e nderoi. Davidi e pyeti: «Nga po vjen?». Ai i tha: «U arratisa prej fushimit të Izraelit». Atëherë Davidi i tha: «Më trego çfarë ka ndodhur». Ai iu përgjigj: «Populli ia mbathi nga beteja dhe shumë mbetën të vrarë. U vra edhe Sauli me Jonatanin, birin e tij». Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: «Nga e di se janë vrarë Sauli dhe biri i tij, Jonatani?». Djaloshi, që solli lajmin, i tha: «Isha në malin Gilboa dhe Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kur iu afruan karrocat dhe kalorësit. Ai u kthye, më pa e më thirri. E unë i thashë: “Ja ku jam!”. Ai më pyeti: “Prej nga je?”. Unë i thashë: “Jam amalekit”. Pastaj ai më tha: “Sulu e më vrit, se jam në grahmat e fundit, por ende gjallë”. Unë iu sula dhe e vrava. E dija se nuk do të jetonte më për shkak të plagëve. Ia mora kurorën që kishte mbi krye dhe mbimëngëzën që kishte në krah dhe ia solla timzoti».
Atëherë Davidi kapi rrobat e i shqeu. Kështu bënë edhe tërë burrat që ishin me të. Qanë, vajtuan e agjëruan gjer në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e ZOTIT dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë prej shpatës. Pastaj Davidi i tha djaloshit që kishte sjellë lajmin: «Prej nga je?». Ai i tha: «Jam i biri i një të ardhuri amalekit». Davidi vijoi: «Si nuk pate frikë, por ngrite dorë dhe e vrave të vajosurin e ZOTIT?». Davidi thirri një nga djelmoshat e i tha: «Shko e qëlloje!». Ai i ra dhe e vrau. Davidi tha: «Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, se vetë goja jote dëshmoi kundër teje, kur the se vrave të vajosurin e ZOTIT».
Atëherë Davidi lëshoi këtë vajtim për Saulin dhe birin e tij, Jonatanin, dhe urdhëroi ta mësonin bijtë e Judës. Kjo është Kënga e Harkut, shkruar në librin e të Drejtit:
«Lavdia jote, o Izrael,
ra theror në bjeshkë.
Si ranë kështu trimat!
Mos e tregoni në Gat,
mos e shpallni rrugëve të Ashkelonit,
se do të gëzohen bijat e filistinëve,
do të ngazëllejnë bijat e të parrethprerëve.
O malet e Gilboasë,
mos rëntë mbi ju as vesë, as shi,
mos paçi ara të begatshme.
Se aty u ndy mburoja e trimave,
mburoja e Saulit nuk u lye me vaj.
Prej gjakut të therorisë
e prej dhjamit të kreshnikëve
harku i Jonatanit nuk u zmbraps,
as kordha e Saulit nuk doli huq.
Sauli e Jonatani
ishin të dashur e të shtrenjtë,
as jeta e as vdekja nuk i ndau.
Më të shpejtë ishin se shqiponjat,
më të fortë se luanët.
O bijat e Izraelit,
vajtojeni Saulin.
Ai ju veshi me të kuqe të shkëlqyer,
rrobat jua stolisi me ar.
Si ranë trimat në mes të betejës?
Jonatani ra theror në bjeshkë!
U pikëllova për ty, o Jonatan, vëllai im.
Sa i shtrenjtë ishe për mua!
Dashuria jote për mua,
më e mrekullueshme se dashuria e gruas.
Si ranë kështu trimat
e armët u shkatërruan!».