2 e Korintasve 4:1-6
2 e Korintasve 4:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimit të njerëzve e para Perëndisë. Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje. Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.
2 e Korintasve 4:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Prandaj, duke pasur këtë shërbim për mëshirën që na është bërë, ne nuk na lëshon zemra. Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë. Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata. Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit, sepse Perëndia që tha: ''Le të ndriçojë drita në errësirë'', është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.