Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Korintasve 4

4
Thesari në enë balte
1Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. 2Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimit#4.2 ose: ndërgjegjes të njerëzve e para Perëndisë. 3Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje.
4Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. 5Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. 6Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.
7Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh. 8Megjithëse na mundojnë nga çdo anë, nuk ligështohemi. Jemi të pështjelluar, por nuk dëshpërohemi. 9Na përndjekin, por Perëndia nuk na braktis. Na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund. 10Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë. 11Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm. 12Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën.
13Por ne kemi të njëjtin shpirt të besimit, sikurse është shkruar: besova, prandaj fola. Edhe ne besojmë, prandaj flasim, 14sepse e dimë se ai që e ngjalli Zotin Jezu, do të na ngjallë edhe ne me Jezuin e bashkë me ju do të na paraqesë para vetes. 15Gjithçka bëhet për ju, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pranojnë hirin e Perëndisë dhe ta falënderojnë gjithnjë e më shumë atë e t'i japin lavdi.
Jetojmë përmes besimit
16Prandaj nuk ligështohemi. Megjithëse së jashtmi shkojmë drejt kalbjes, nga brenda përtërihemi dita-ditës. 17Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar. 18Ne nuk jemi përqendruar te gjërat që duken, por tek ato që nuk duken, sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, ndërsa të padukshmet janë të amshuara.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Korintasve 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr