Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 4:1-12

2 e Korintasve 4:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimit të njerëzve e para Perëndisë. Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje. Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit. Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh. Megjithëse na mundojnë nga çdo anë, nuk ligështohemi. Jemi të pështjelluar, por nuk dëshpërohemi. Na përndjekin, por Perëndia nuk na braktis. Na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund. Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë. Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm. Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën.

2 e Korintasve 4:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Prandaj, duke pasur këtë shërbim për mëshirën që na është bërë, ne nuk na lëshon zemra. Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë. Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata. Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit, sepse Perëndia që tha: ''Le të ndriçojë drita në errësirë'', është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit. Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne. Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar; kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm. Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.