Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 12:1-10

2 e Korintasve 12:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Megjithëse nuk është mirë të krenohem, duhet ta bëj dhe prandaj do t'ju flas për vegimet dhe zbulesat që më ka dhënë Zoti. Njoh një njeri, që beson në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh u mor në qiellin e tretë, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di. Di edhe se ky njeri, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di, u mor në parajsë dhe dëgjoi fjalë të pashprehshme dhe që nuk mund t'i thotë asnjeri. Me këtë njeri do të krenohem e jo me veten time. Unë do të krenohem vetëm me dobësitë e mia. Edhe po të dëshiroja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha të vërtetën. Por nuk po e bëj këtë, që askush të mos më vlerësojë më tepër nga ç'dukem e nga ç'them, edhe pse zbulesat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, që të mos mbahem me të madh, m'u dha një gjemb në trup, një engjëll i Satanit, që të më torturonte për të mos m'u rritur mendja. Tri herë iu luta Zotit të më çlironte nga kjo torturë, por ai m'u përgjigj: «Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime tregohet e plotë në dobësinë tënde». Prandaj do të krenohem edhe më shumë me dobësitë e mia, që të banojë tek unë fuqia e Krishtit. Prandaj gëzohem, edhe kur jam i dobët, edhe kur më shajnë, edhe kur jam në nevojë, edhe kur më përndjekin, edhe kur jam në vështirësi për shkak të Krishtit. Në të vërtetë, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

2 e Korintasve 12:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sigurisht nuk kam dobi nga të mburrurit; prandaj do t'ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit. Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell. Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di), u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri. Për atë njeri unë do të krenohem, por nuk do të krenohem për veten time, veç se për dobësitë e mia. Edhe sikur të doja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën; por nuk e bëj këtë, se mos ndonjë më çmon më tepër nga ajo që më sheh, a më tepër nga ajo që dëgjon nga unë. Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m'u dha një gjemb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh. Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë. Por ai më tha: ''Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi''. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë