Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 12:1-10

2 e Korintasve 12:1-10 ALBB

Sigurisht nuk kam dobi nga të mburrurit; prandaj do t'ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit. Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell. Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di), u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri. Për atë njeri unë do të krenohem, por nuk do të krenohem për veten time, veç se për dobësitë e mia. Edhe sikur të doja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën; por nuk e bëj këtë, se mos ndonjë më çmon më tepër nga ajo që më sheh, a më tepër nga ajo që dëgjon nga unë. Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m'u dha një gjemb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh. Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë. Por ai më tha: ''Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi''. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.