Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 11:16-33

2 e Korintasve 11:16-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Po e përsëris: të mos mendojë askush se jam i marrë! Por, nëse mendoni kështu, atëherë më pranoni si të marrë, që të krenohem pak edhe unë. Atë që po them tani nuk po e them sipas Zotit, por si të isha një i marrë që mendon se mund të krenohet. Meqenëse shumë veta krenohen me gjëra njerëzore, atëherë do të krenohem edhe unë, sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtësisht të marrët. Nëse dikush ju trajton si skllevër, ju shfrytëzon, ju plaçkit, ju përçmon, ju qëllon në fytyrë, ju e duroni. Më vjen turp të them se kemi qenë tepër të dobët, por, nëse dikush merr guximin të krenohet me ndonjë gjë, po flas si të isha i marrë, atëherë do të guxoja edhe unë. A janë ata hebrenj? Edhe unë jam. Janë izraelitë? Edhe unë jam. Janë pasardhës të Abrahamit? Edhe unë jam. Janë shërbëtorë të Krishtit? Po flas si të isha i çmendur: unë jam edhe më shumë. Kam kaluar më shumë mundime se ata, më kanë burgosur më shumë se ata, kam vuajtur fshikullima të panumërta e shpesh kam qenë në rrezik për vdekje. Judenjtë më rrahën pesë herë me nga tridhjetë e nëntë fshikuj. Tri herë më kanë rrahur me shkop. Një herë më kanë goditur me gurë, tri herë më është mbytur anija e për një natë e një ditë jam endur nëpër det. Kam udhëtuar shumë në këmbë, kam përjetuar rreziqe nga lumenjtë, rreziqe nga kusarët, rreziqe nga bashkëkombësit, rreziqe nga kombet, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det dhe rreziqe nga vëllezërit e rremë. Kam kaluar mundime e vështirësi, shumë net pa gjumë, i uritur e i etur, shpesh pa ushqim, në të ftohtë e i zhveshur. Përveç këtyre më mundonte çdo ditë përkujdesja për të gjitha kishat. Nëse dikush është i dobët, atëherë edhe unë bëhem i dobët. Nëse dikush bie, atëherë vuaj edhe unë. Nëse duhet të krenohem, krenohem me dobësitë e mia. Perëndia dhe Ati i Zotit Jezu, që është i bekuar në amshim, e di se nuk gënjej. Kur isha në Damask, qeveritari i mbretit Aret, vuri roja në gjithë qytetin e Damaskut për të më kapur, por më zbritën me një kosh nga një dritare në mur dhe u ika nga duart.

2 e Korintasve 11:16-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Po e them përsëri: Askush të mos mendojë se jam i marrë; në mos, më pranoni edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem pakëz. Atë që po them në mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por në marrëzi. Duke qenë se shumë vetë mburren sipas mishit, edhe unë do të mburrem. Sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtë të marrët. Sepse tashmë ju duroni, nëse dikush ju robëron, nëse dikush ju gllabëron, nëse dikush ju grabit, nëse dikush krenohet, nëse dikush ju godet në fytyrë. Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë. Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë. Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje. Nga judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhikë pa një. Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m'u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë. Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkatdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë, në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur. Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat. Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem? Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time. Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që është i bekuar përjetë, e di se unë nuk gënjej. Në Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e damaskasve për të më zënë, por nga një dritare më ulën përgjatë murit me një shportë, dhe shpëtova nga duart e tij.