Po e përsëris: të mos mendojë askush se jam i marrë! Por, nëse mendoni kështu, atëherë më pranoni si të marrë, që të krenohem pak edhe unë. Atë që po them tani nuk po e them sipas Zotit, por si të isha një i marrë që mendon se mund të krenohet. Meqenëse shumë veta krenohen me gjëra njerëzore, atëherë do të krenohem edhe unë, sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtësisht të marrët. Nëse dikush ju trajton si skllevër, ju shfrytëzon, ju plaçkit, ju përçmon, ju qëllon në fytyrë, ju e duroni. Më vjen turp të them se kemi qenë tepër të dobët, por, nëse dikush merr guximin të krenohet me ndonjë gjë, po flas si të isha i marrë, atëherë do të guxoja edhe unë. A janë ata hebrenj? Edhe unë jam. Janë izraelitë? Edhe unë jam. Janë pasardhës të Abrahamit? Edhe unë jam. Janë shërbëtorë të Krishtit? Po flas si të isha i çmendur: unë jam edhe më shumë. Kam kaluar më shumë mundime se ata, më kanë burgosur më shumë se ata, kam vuajtur fshikullima të panumërta e shpesh kam qenë në rrezik për vdekje.
Judenjtë më rrahën pesë herë me nga tridhjetë e nëntë fshikuj. Tri herë më kanë rrahur me shkop. Një herë më kanë goditur me gurë, tri herë më është mbytur anija e për një natë e një ditë jam endur nëpër det. Kam udhëtuar shumë në këmbë, kam përjetuar rreziqe nga lumenjtë, rreziqe nga kusarët, rreziqe nga bashkëkombësit, rreziqe nga kombet, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det dhe rreziqe nga vëllezërit e rremë. Kam kaluar mundime e vështirësi, shumë net pa gjumë, i uritur e i etur, shpesh pa ushqim, në të ftohtë e i zhveshur. Përveç këtyre më mundonte çdo ditë përkujdesja për të gjitha kishat. Nëse dikush është i dobët, atëherë edhe unë bëhem i dobët. Nëse dikush bie, atëherë vuaj edhe unë.
Nëse duhet të krenohem, krenohem me dobësitë e mia. Perëndia dhe Ati i Zotit Jezu, që është i bekuar në amshim, e di se nuk gënjej. Kur isha në Damask, qeveritari i mbretit Aret, vuri roja në gjithë qytetin e Damaskut për të më kapur, por më zbritën me një kosh nga një dritare në mur dhe u ika nga duart.