Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 11:1-15

2 e Korintasve 11:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Oh, sa do të dëshiroja që ju të duronit pak marrëzi me mua! Po në fakt, ju më duroni. Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë, sepse ju fejova me një burrë, që t'ju nxjerr para Krishtit si virgjëreshë të dëlirë. Por druaj se, ashtu si gjarpri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit. Sepse, po të vinte dikush dhe t'ju predikonte një Jezus tjetër, që ne nuk e kemi predikuar, ose, po të merrnit një frymë tjetër që nuk e keni marrë, ose një ungjill tjetër që nuk e keni pranuar, do ta duronit fort mirë. Unë mendoj se nuk kam qenë aspak më poshtë nga apostujt më të shquar. Dhe, megjithëse jam i thjeshtë në të folur, nuk jam i tillë në dituri; madje me të gjitha mënyrat dhe në të gjitha gjërat jua kemi treguar. Mos vallë bëra mëkat duke e ulur veten time që të lartoheni ju, sepse ju kam predikuar falas ungjillin e Perëndisë? Kam rrjepur kishat e tjera, duke marrë një rrogë që t'ju shërbej juve. Dhe, kur isha midis jush dhe isha nevojtar, nuk iu bëra barrë askujt; sepse nevojat e mia i plotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia; dhe në çdo gjë u ruajta që të mos ju bëhem barrë ju, edhe për të ardhmen do të ruhem. Duke qenë se e vërteta e Krishtit është në mua, kjo mburrje, për sa më përket mua, nuk do të më ndalohet në vendet e Akaisë. Pse? Ndoshta sepse nuk ju dua? Perëndia e di. Por atë që bëj, do ta bëj përsëri, që t'u pres çdo shkas atyre që duan shkas, që ata të gjenden si edhe ne, në atë gjë, për të cilën mburren. Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t'u çuditur, sepse Satani vetë shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre.

2 e Korintasve 11:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ah, sikur ta duronit pak marrëzi nga ana ime. Më duroni, pra! Ndiej për ju një zili që vjen prej Perëndisë. Ju fejova me një burrë të vetëm dhe ju paraqita te Krishti si një virgjëreshë të pastër. Por kam frikë se, sikurse e mashtroi gjarpri Evën me dinakërinë e tij, edhe mendimet tuaja do të shmangen nga përkushtimi i çiltër dhe i pastër ndaj Krishtit. Në të vërtetë, nëse vjen dikush dhe ju predikon një tjetër Jezu nga ai që ju predikuam ne, nëse merrni një tjetër shpirt nga ai që morët apo një ungjill të ndryshëm nga ai që pranuat, ju e duroni me dëshirë. Unë mendoj se nuk jam aspak më i vogël se këta kryeapostuj. Edhe po të isha më i dobët në gojëtari, nuk jam në dije dhe këtë gjë jua kemi bërë të ditur në çdo mënyrë e në gjithçka. A mos bëra mëkat se përula veten që të lartësoheshit ju duke ju predikuar falas ungjillin e Perëndisë? Kam marrë nga kishat e tjera çfarë më duhej për të jetuar dhe u kam hyrë në pjesë për t'ju shërbyer juve. Kur isha te ju e kur isha në nevojë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse m'i plotësuan nevojat vëllezërit nga Maqedonia. Kështu jam ruajtur e do të ruhem që të mos ju bëhem barrë. Për të vërtetën e Krishtit, që është në mua, mburrja ime nuk do të heshtë në krahinën e Akaisë. E pse? Se nuk ju dua? Perëndia e di se ju dua. Atë që po bëj do të vazhdoj ta bëj, që t'ua heq mundësinë atyre që e dëshirojnë një mundësi për t'u njohur si të barabartë me ne në gjërat për të cilat mburren. Këta janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që hiqen si apostuj të Krishtit. E mos u çuditni! Edhe Satani hiqet si engjëll drite. Prandaj nuk është gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij hiqen si shërbëtorë të drejtësisë. Siç kanë veprat, ashtu edhe do të përfundojnë.