Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Kronikave 7:1-16

2 i Kronikave 7:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Solomoni mbaroi lutjen dhe nga qielli zbriti një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. Atëherë lavdia e ZOTIT mbushi tempullin. Priftërinjtë nuk mund të hynin më në tempullin e ZOTIT, se tempullin e kishte mbushur lavdia e ZOTIT. Kur izraelitët panë zjarrin që zbriti nga qielli dhe lavdinë e ZOTIT mbi tempullin e tij, ranë me fytyrë përdhe dhe përlëvduan ZOTIN, sepse është i mirë dhe mirësia e tij mbetet në amshim. Pastaj mbreti e mbarë populli kushtuan fli para ZOTIT. Mbreti Solomon i kushtoi ZOTIT njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Perëndisë. Priftërinjtë kryenin shërbesat dhe levitët i këndonin ZOTIT me veglat muzikore dhe me psalmet që kishte bërë mbreti David për të lavdëruar ZOTIN, sepse mirësia e tij mbetet në amshim. Ndërkaq priftërinjtë u binin trumbetave para tyre e mbarë Izraeli qëndronte në këmbë. Solomoni shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të ZOTIT. Atje kushtoi flitë e shkrumbimit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që kishte ndërtuar Solomoni, nuk i nxinte flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit. Në atë kohë Solomoni festoi shtatë ditë me mbarë bashkësinë e madhe të izraelitëve që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit. Ditën e tetë bënë një kuvend, sepse për shtatë ditë kishin kushtuar altarin e po për shtatë ditë kishin kremtuar. Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë Solomoni e nisi popullin nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të mirat që i kishte dhënë ZOTI Davidit, Solomonit dhe Izraelit, popullit të vet. Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të ZOTIT, pallatin mbretëror dhe gjithçka që kishte për zemër të bënte në tempullin e ZOTIT dhe në pallatin mbretëror, ZOTI iu shfaq natën e i tha: «E dëgjova lutjen tënde dhe e zgjodha këtë vend për vete, që të jetë tempull flijimesh. Nëse unë e mbyll qiellin e nuk bie më shi, nëse urdhëroj karkalecat të gllabërojnë vendin dhe dërgoj murtajën kundër popullit tim, dhe populli im, që mban emrin tim, përulet, lutet dhe më kërkon, duke u kthyer nga udha e mbrapshtë, unë do ta dëgjoj prej qiellit, do t'ia fal mëkatin dhe do t'ia shëroj tokën. Sytë e mi do të qëndrojnë hapur dhe veshët e mi do të dëgjojnë me kujdes çdo lutje që do të bëhet nga ky vend. Unë e zgjodha këtë tempull dhe e shenjtërova, që aty të banojë emri im në amshim. Sytë dhe zemra ime do të jenë përherë aty.

2 i Kronikave 7:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur Salomoni mbaroi së luturi, nga qielli ra një zjarr që konsumoi holokaustin dhe flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin. Priftërinjtë nuk mund të hynin në shtëpinë e Zotit, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit. Tërë bijtë e Izraelit, kur panë që zjarri po zbriste dhe lavdia e Zotit po vendosej mbi tempullin, ranë përmbys me fytyrë mbi dysheme, duke adhuruar dhe lëvduar Zotin, "sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetësi". Pastaj mbreti dhe tërë populli ofruan flijime përpara Zotit, mbreti Salomon ofroi si flijim njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë populli shenjtëruan shtëpinë e Perëndisë. Priftërinjtë kryenin detyrat e tyre, po kështu levitët me veglat e tyre muzikore të kushtuara Zotit, që mbreti David kishte bërë për të lëvduar Zotin, "sepse mirësia e tij është e përjetshme", sa herë që Davidi lëvdonte me anë të tyre. Priftërinjtë u binin borive para tyre, ndërsa tërë Izraeli qëndronte në këmbë. Salomoni shenjtëroi pjesën qendrore të oborrit që ishte përballë shtëpisë të Zotit; aty pikërisht ofroi holokauste dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit, sepse altari prej bronzi që Salomoni kishte bërë nuk i zinte dot holokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin. Në atë kohë Salomoni kremtoi festën shtatë ditë dhe tërë Izraeli bashkë me të. Me Salomonin u bashkua një mori e madhe njerëzish të ardhur nga rrethinat e Hamathit deri në përroin e Egjiptit. Ditën e tetë bënë një mbledhje solemne, sepse kishin kremtuar kushtimin e altarit shtatë ditë dhe festën shtatë ditë të tjera. Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë ai e ktheu në çadrat e tij popullin tërë qejf dhe të gëzuar për të mirën që Zoti i kishte bërë Davidit, Salomonit dhe Izraelit, popullit të tij. Kështu Salomoni përfundoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij, dhe arriti të mbarojë gjithçka që kishte në zemër për shtëpinë e Zotit dhe për shtëpinë e vet. Pastaj Zoti iu shfaq natën Salomonit dhe i tha: "E plotësova lutjen tënde dhe zgjodha këtë vend për vete si shtëpi flijimesh. Kur do të mbyll qiellin dhe nuk do të ketë më shi, kur do të urdhëroj që karkalecat të gllabërojnë vendin, kur do t'i dërgoj murtajën popullit tim, në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t'i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij. Tani sytë e mi do të jenë të hapur dhe veshët e mi të vëmendshëm për lutjen e bërë në këtë vend, sepse tani kam zgjedhur dhe shenjtëruar këtë tempull, që emri im të mbetet aty përjetë; sytë dhe zemra ime do të jenë gjithnjë aty.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë