Solomoni mbaroi lutjen dhe nga qielli zbriti një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. Atëherë lavdia e ZOTIT mbushi tempullin. Priftërinjtë nuk mund të hynin më në tempullin e ZOTIT, se tempullin e kishte mbushur lavdia e ZOTIT. Kur izraelitët panë zjarrin që zbriti nga qielli dhe lavdinë e ZOTIT mbi tempullin e tij, ranë me fytyrë përdhe dhe përlëvduan ZOTIN, sepse është i mirë dhe mirësia e tij mbetet në amshim.
Pastaj mbreti e mbarë populli kushtuan fli para ZOTIT. Mbreti Solomon i kushtoi ZOTIT njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Perëndisë. Priftërinjtë kryenin shërbesat dhe levitët i këndonin ZOTIT me veglat muzikore dhe me psalmet që kishte bërë mbreti David për të lavdëruar ZOTIN, sepse mirësia e tij mbetet në amshim. Ndërkaq priftërinjtë u binin trumbetave para tyre e mbarë Izraeli qëndronte në këmbë.
Solomoni shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të ZOTIT. Atje kushtoi flitë e shkrumbimit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që kishte ndërtuar Solomoni, nuk i nxinte flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit.
Në atë kohë Solomoni festoi shtatë ditë me mbarë bashkësinë e madhe të izraelitëve që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit. Ditën e tetë bënë një kuvend, sepse për shtatë ditë kishin kushtuar altarin e po për shtatë ditë kishin kremtuar. Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë Solomoni e nisi popullin nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të mirat që i kishte dhënë ZOTI Davidit, Solomonit dhe Izraelit, popullit të vet.
Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të ZOTIT, pallatin mbretëror dhe gjithçka që kishte për zemër të bënte në tempullin e ZOTIT dhe në pallatin mbretëror, ZOTI iu shfaq natën e i tha: «E dëgjova lutjen tënde dhe e zgjodha këtë vend për vete, që të jetë tempull flijimesh. Nëse unë e mbyll qiellin e nuk bie më shi, nëse urdhëroj karkalecat të gllabërojnë vendin dhe dërgoj murtajën kundër popullit tim, dhe populli im, që mban emrin tim, përulet, lutet dhe më kërkon, duke u kthyer nga udha e mbrapshtë, unë do ta dëgjoj prej qiellit, do t'ia fal mëkatin dhe do t'ia shëroj tokën. Sytë e mi do të qëndrojnë hapur dhe veshët e mi do të dëgjojnë me kujdes çdo lutje që do të bëhet nga ky vend. Unë e zgjodha këtë tempull dhe e shenjtërova, që aty të banojë emri im në amshim. Sytë dhe zemra ime do të jenë përherë aty.