Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Kronikave 34:14-28

2 i Kronikave 34:14-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Teksa dorëzonin paratë që ishin hedhur në tempullin e ZOTIT, prifti Hilkiah gjeti rrotullën e ligjit të ZOTIT, dhënë përmes Moisiut. Hilkiahu i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e ZOTIT rrotullën e ligjit». Hilkiahu ia dha rrotullën Shafanit. Shafani ia solli rrotullën mbretit, e njoftoi e i tha: «Gjithçka që urdhërove të bëhet, shërbëtorët e tu po e kryejnë. Paratë që u gjetën në tempull i mblodhën e ua dhanë përgjegjësve dhe punëtorëve». Pastaj Shafani, shkruesi, i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha këtë rrotull». Shafani ia lexoi rrotullën mbretit. Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, shqeu rrobat. Atëherë ai i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: «Shkoni e këshillohuni me ZOTIN për mua, për pjesën e mbetur të Izraelit dhe për mbarë Judën, në lidhje me fjalët e kësaj rrotulle që gjetëm. Zemërimi i ZOTIT kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e ZOTIT për të zbatuar gjithçka është shkruar në këtë rrotull». Atëherë Hilkiahu bashkë me ata që kishte dërguar mbreti shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tokahatit, të birit të Hasraut, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. Ata folën me të e ajo u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini se kështu thotë ZOTI: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë mallkimet e rrotullës që u lexua para mbretit të Judës, sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me të gjitha veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me ZOTIN, do t'i thoni: kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Perëndisë sapo dëgjove fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, meqenëse u përule para meje, shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë ZOTI. “Ja, unë do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë.

2 i Kronikave 34:14-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërsa po tërhiqeshin paratë që ishin çuar në shtëpinë e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut. Atëherë Hilkiahu e mori fjalën dhe i tha sekretarit Shafan: "Kam gjetur në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit. Shafani ia çoi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: "Shërbëtorët e tu po bëjnë atë që u është urdhëruar të bëjnë. Kanë mbledhur paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit dhe i kanë dorëzuar në duart e mbikëqyrësve dhe të punëtorëve". Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më dha një libër". Pastaj Shafani e lexoi në prani të mbretit. Por ndodhi që, kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e trupit. Pastaj mbreti i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, sekretarit, dhe Asajahut, shërbëtorit të mbretit, duke thënë: "Shkoni të konsultoheni Zotin për mua dhe për ata që kanë mbetur në Izrael dhe në Judë, lidhur me fjalët e Librit që u gjet; i madh, pra, është zemërimi i Zotit që ra mbi ne, sepse etërit tanë nuk kanë ndjekur fjalën e Zotit, duke vepruar plotësisht sipas asaj që është shkruar në këtë libër". Kështu Hilkiahu dhe ata që mbreti kishte caktuar shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shallumit, birit të Tokhathit, bir i Hasrathit, ruajtësi i rrobave; (ajo banonte në Jeruzalem në lagjen e dytë), dhe i folën lidhur me këtë çështje. Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Njoftoni atë që ju ka dërguar tek unë: Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, të gjitha mallkimet që janë shkruar në librin, të cilin e kanë lexuar përpara mbretit të Judës. Duke qenë se më kanë braktisur dhe u kanë ofruar temjan perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim me të gjitha veprat e duarve të tyre, zemërimi im do të bjerë mbi këtë vend dhe nuk do të shuhet". Ndërsa mbretit të Judës që ju ka dërguar të këshilloheni me Zotin, njoftojini sa vijon: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ke dëgjuar: "Duke qenë se zemra jote është mallëngjyer, sepse je përulur përpara Perëndisë duke dëgjuar fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, je përulur para meje, ke grisur rrobat e tua dhe ke qarë para meje, edhe unë të dëgjova", thotë Zoti. "Ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu, dhe do të të shtien në paqe në varrin tënd; sytë e tu nuk do të shohin tërë të keqen që unë do t'i sjell këtij vendi dhe banorëve të tij"". Ata ia njoftuan mesazhin mbretit.