Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 34:14-28

2 Kronikave 34:14-28 AL1

Teksa dorëzonin paratë që ishin hedhur në tempullin e ZOTIT, prifti Hilkiah gjeti rrotullën e ligjit të ZOTIT, dhënë përmes Moisiut. Hilkiahu i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e ZOTIT rrotullën e ligjit». Hilkiahu ia dha rrotullën Shafanit. Shafani ia solli rrotullën mbretit, e njoftoi e i tha: «Gjithçka që urdhërove të bëhet, shërbëtorët e tu po e kryejnë. Paratë që u gjetën në tempull i mblodhën e ua dhanë përgjegjësve dhe punëtorëve». Pastaj Shafani, shkruesi, i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha këtë rrotull». Shafani ia lexoi rrotullën mbretit. Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, shqeu rrobat. Atëherë ai i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: «Shkoni e këshillohuni me ZOTIN për mua, për pjesën e mbetur të Izraelit dhe për mbarë Judën, në lidhje me fjalët e kësaj rrotulle që gjetëm. Zemërimi i ZOTIT kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e ZOTIT për të zbatuar gjithçka është shkruar në këtë rrotull». Atëherë Hilkiahu bashkë me ata që kishte dërguar mbreti shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tokahatit, të birit të Hasraut, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. Ata folën me të e ajo u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini se kështu thotë ZOTI: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë mallkimet e rrotullës që u lexua para mbretit të Judës, sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me të gjitha veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me ZOTIN, do t'i thoni: kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Perëndisë sapo dëgjove fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, meqenëse u përule para meje, shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë ZOTI. “Ja, unë do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë.