Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 5:1-25

1 Timoteut 5:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të moshuarin mos e qorto ashpër, por këshilloje si atë, të rinjtë si vëllezër, të moshuarat si nëna, të rejat si motra, me shumë dëlirësi. Ndero vejushat që janë vërtet të veja. Por nëse një vejushë ka fëmijë ose nipër, këta le të mësojnë, së pari, të tregojnë përkujdesje për njerëzit e shtëpisë së tyre dhe t'ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse këtë gjë pëlqen Perëndia. Por ajo që është vërtet vejushë dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe vazhdon në përgjërime e lutje natë e ditë. Ndërsa ajo që jeton në shthurje është e vdekur edhe pse rron. Kështu porositi vejushat, që të jenë të paqortueshme. Por kush nuk kujdeset për të afërmit e sidomos për ata të shtëpisë së vet, ky e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një i pafe. Vejusha të regjistrohet në listën e vejushave kur të jetë jo më pak se gjashtëdhjetë vjeçe dhe të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm. Ajo duhet të njihet për vepra të mira: i ka edukuar mirë fëmijët, ka qenë mikpritëse, u ka larë këmbët të shenjtëve, i ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar çdo vepre të mirë. Por mos prano vejusha më të reja, sepse kur dëshirojnë të martohen përsëri, largohen nga Krishti, duke marrë gjykimin për shkak se e lanë mënjanë besimin e parë. Në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, dhe jo vetëm përtace, por flasin gjëra që nuk duhet, duke shpifur e duke u marrë me llafe. Prandaj dua që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak kundërshtarit të na përflasë, pasi disa tashmë e lanë udhën e drejtë dhe ndoqën Satanin. Nëse ndonjë besimtare ka ndonjë vejushë në shtëpi, le ta ndihmojë atë e të mos i bëhet barrë kishës, kështu që kisha të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha. Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie. Sepse Shkrimi thotë: kaut që shin, mos i vër kapistër dhe: «Punëtori e meriton pagën e vet». Kundër plakut të kishës mos prano padi, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë. Ata që mëkatojnë, qortoji para të gjithëve, që të kenë frikë edhe të tjerët. Të përbetohem para Perëndisë dhe Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykim e të mos bësh asgjë me anësi. Mos u nxito që përmes vënies së duarve t'i japësh përgjegjësi dikujt e as mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve. Ruaje veten të dëlirë! Mos pi më vetëm ujë, por pi pak verë për shkak të stomakut e të sëmundjeve të tua të shpeshta. Disa njerëzve u duken qartë mëkatet, edhe përpara se të gjykohen, ndërsa disa të tjerëve u dalin sheshit më pas. Po ashtu edhe veprat e mira duken qartë, ndërsa ato që nuk duken qartë, nuk mund rrinë të fshehura përgjithnjë.

1 Timoteut 5:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si atë, dhe më të rinjtë si vëllezër, plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dëlirësi. Ndero vejushat që janë me të vërtetë të veja. Por në qoftë se një e ve ka djem a nipa, këta le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t'ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë. Dhe ajo që është me të vërtetë e ve, dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë. Ndërsa ajo që jeton e shthurur, ndonëse rron, është e vdekur. Porosit edhe këto gjëra, që të jenë të patëmeta. Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar. Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm, dhe të ketë dëshminë për vepra të mira: që i ka rritur fëmijët e saj, ka pritur të huajt, ua ka larë këmbët shenjtorëve, ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë. Po mos i prano vejushat më të reja, sepse, duke u dhënë pas dëshirave të tyre, ngrihen kundër Krishtit, duan të martohen, duke tërhequr mbi vete një dënim, sepse kanë shkelur besimin e parë. Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota. Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të kenë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të përfolur; sepse disa tashmë devijuan për të ndjekur Satanin. Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka vejusha, le t'i ndihmojë e të mos bëhen barrë kishës, e cila mund të ndihmojë ato që janë me të vërtetë të veja. Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim. Sepse Shkrimi thotë: "Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë", dhe: ''Punëtori e ka hak mëditjen e tij''. Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë. Ata që mëkatojnë qortoji përpara të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë. Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi. Mos i vër duart askujt me ngut dhe mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve; ruaje veten të pastër. Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta. Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe përpara gjyqit, ndërsa të tjerëve u duken më pas. Gjithashtu edhe veprat e mira duken; por edhe ato që janë ndryshe nuk mund të mbeten të fshehura.