Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 5

5
Detyrat ndaj të tjerëve
1Të moshuarin mos e qorto ashpër, por këshilloje si atë, të rinjtë si vëllezër, 2të moshuarat si nëna, të rejat si motra, me shumë dëlirësi. 3Ndero vejushat që janë vërtet të veja. 4Por nëse një vejushë ka fëmijë ose nipër, këta le të mësojnë, së pari, të tregojnë përkujdesje për njerëzit e shtëpisë së tyre dhe t'ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse këtë gjë pëlqen Perëndia. 5Por ajo që është vërtet vejushë dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe vazhdon në përgjërime e lutje natë e ditë. 6Ndërsa ajo që jeton në shthurje është e vdekur edhe pse rron.
7Kështu porositi vejushat, që të jenë të paqortueshme. 8Por kush nuk kujdeset për të afërmit e sidomos për ata të shtëpisë së vet, ky e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një i pafe.
9Vejusha të regjistrohet në listën e vejushave kur të jetë jo më pak se gjashtëdhjetë vjeçe dhe të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm. 10Ajo duhet të njihet për vepra të mira: i ka edukuar mirë fëmijët, ka qenë mikpritëse, u ka larë këmbët të shenjtëve, i ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar çdo vepre të mirë. 11Por mos prano vejusha më të reja, sepse kur dëshirojnë të martohen përsëri, largohen nga Krishti, 12duke marrë gjykimin për shkak se e lanë mënjanë besimin e parë. 13Në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, dhe jo vetëm përtace, por flasin gjëra që nuk duhet, duke shpifur e duke u marrë me llafe. 14Prandaj dua që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak kundërshtarit të na përflasë, 15pasi disa tashmë e lanë udhën e drejtë dhe ndoqën Satanin. 16Nëse ndonjë besimtare ka ndonjë vejushë në shtëpi, le ta ndihmojë atë e të mos i bëhet barrë kishës, kështu që kisha të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha.
17Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen#5.17 ose: nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie. 18Sepse Shkrimi thotë: kaut që shin, mos i vër kapistër dhe: «Punëtori e meriton pagën e vet».
19Kundër plakut të kishës mos prano padi, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë. 20Ata që mëkatojnë, qortoji para të gjithëve, që të kenë frikë edhe të tjerët.
21Të përbetohem para Perëndisë dhe Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykim e të mos bësh asgjë me anësi.
22Mos u nxito që përmes vënies së duarve t'i japësh përgjegjësi dikujt e as mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve.
Ruaje veten të dëlirë!
23Mos pi më vetëm ujë, por pi pak verë për shkak të stomakut e të sëmundjeve të tua të shpeshta.
24Disa njerëzve u duken qartë mëkatet, edhe përpara se të gjykohen, ndërsa disa të tjerëve u dalin sheshit më pas. 25Po ashtu edhe veprat e mira duken qartë, ndërsa ato që nuk duken qartë, nuk mund rrinë të fshehura përgjithnjë.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Timoteut 5: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë