1 i Mbretërve 16:8-28
1 i Mbretërve 16:8-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në vitin e njëzet e gjashtë të mbretërimit të Asait në Judë, Elahu, biri i Bashait, u bë mbreti i Izraelit dhe mbretëroi në Tircah për dy vjet. Zimriu, shërbëtori i Elahut dhe kreu ushtarak i gjysmës së karrocave të luftës, u ngrit kundër mbretit. Një herë, kur mbreti Elah ndodhej në Tircah dhe kishte pirë sa ishte dehur, në shtëpinë e Arcait, mbikëqyrësit të pallatit mbretëror të Tircahut, Zimriu shkoi dhe e goditi për vdekje në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës. Pas Elahut mbret u bë Zimriu. Me t'u bërë mbret e me të hipur në fron, Zimriu shfarosi të gjithë familjen e Bashait dhe nuk la gjallë asnjë nga meshkujt, të afërmit apo miqtë e familjes. Zimriu e shfarosi krejt shtëpinë e Bashait, sipas fjalës që kishte thënë ZOTI për të përmes profetit Jeh. Shkak ishin mëkatet e Bashait dhe birit të tij, Elahut, të cilët jo vetëm mëkatuan vetë, por shtynë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur zemërimin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit, me idhujt e tyre të kotë. Bëmat e tjera të Elahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Zimriu u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për shtatë ditë në Tircah. Asokohe, ushtria kishte rrethuar Gibetonin, qytetin filistin. Kur dëgjuan se Zimriu kishte dalë kundër mbretit dhe e kishte vrarë, ushtarët e shpallën Omriun, kreun e ushtrisë, mbret të Izraelit që atë ditë në fushim. Atëherë Omriu dhe të gjithë izraelitët që ishin me të, marshuan nga Gibetoni në Tircah dhe e rrethuan. Kur pa se qyteti po pushtohej, Zimriu hyri në pallatin mbretëror e i vuri zjarrin, duke u djegur edhe vetë brenda. Ai vdiq për shkak të mëkateve dhe të ligësisë që kishte bërë në sytë e ZOTIT, duke u sjellë si Jeroboami, i cili mëkatoi vetë dhe shtyu edhe Izraelin në mëkat. Bëmat e tjera të Zimriut dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Pas këtyre ndodhive, populli i Izraelit ishte i ndarë më dysh. Gjysma e popullit donte për mbret Tibniun, birin e Ginatit, ndërsa gjysma tjetër donte Omriun. Pjesa e popullit që përkrahte Omriun pati epërsi ndaj atyre që donin Tibniun, birin e Ginatit. Tibniu vdiq e mbret u bë Omriu. Në vitin e tridhjetëenjëtë të mbretërimit të Asait në Judë, Omriu u bë mbreti i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Izrael. Për gjashtë vjet mbretëroi nga Tircahu. Më pas Omriu bleu prej Shemerit malin e Samarisë për gjashtë mijë monedha argjendi e mbi të ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Samari, sipas emrit të Shemerit, të zotit të malit të Samarisë. Omriu bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe u soll edhe më keq se të gjithë paraardhësit e tij. Ai u soll njëlloj si Jeroboami, biri i Nebatit, bëri të njëjtat mëkate si ai, e shtyu Izraelin në mëkat, e me idhujt e tyre të kotë ndezi zemërimin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Bëmat e tjera të Omriut, veprat dhe trimëritë e tij gjenden të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Omriu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi i biri, Ahabi.
1 i Mbretërve 16:8-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në vitin e njëzet e gjashtë të Asas, mbretit të Judës, Elahu, bir i Baashas, filloi të mbretëroj mbi Izraelin në Tirtsah dhe qëndroi në fron dy vjet. Zimri, shërbëtori i tij, komandant i gjysmës së qerreve të tij, komplotoi kundër tij. Ndërsa ai ndodhej në Tirtsah, duke pirë dhe duke u dehur në shtëpinë e Artsas, prefektit të pallatit të Tirtsahut, Zimri hyri, e goditi dhe e vrau në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij. Kur filloi të mbretërojë, sapo u ul në fron, shkatërroi tërë shtëpinë e Baashas; nuk la të gjallë as edhe një mashkull midis kushërinjve të afërt të tij dhe miqve. Kështu Zimri shfarosi tërë shtëpinë e Baashas, sipas fjalës së Zotit të drejtuar kundër Baashas me anë të profetit Jehu, për shkak të mëkateve të Baashas dhe të mëkateve të birit të tij Elah, që ata vetë kishin kryer dhe që kishin bërë t'i kryente Izraeli, duke nxitur zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tyre. Pjesa tjetër e bëmave të Elahut dhe tërë atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, Zimri mbretëroi shtatë ditë në Tirtsah. Populli kishte fushuar kundër Gibethonit, që u përkiste filistenjve. Kështu populli që kishte ngritur kampin dëgjoi të thuhet: "Zimri ka komplotuar, madje ka vrarë mbretin!". Po atë ditë në kamp tërë Izraeli bëri mbret të Izraelit, Omrin, komandantin e ushtrisë. Pastaj Omri u nis nga Gibethoni dhe rrethoi Tirtsahun. Kur Zimri pa që qyteti ishte pushtuar, u tërhoq në kullën e pallatit mbretëror, i vuri zjarrin pallatit mbretëror që ndodhej mbi të dhe kështu vdiq, për shkak të mëkateve që kishte kryer, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe duke kryer mëkatin që ky kishte bërë duke e nxitur Izraelin të mëkatojë. Pjesa tjetër e bëmave të Zimrit dhe komploti që ai thuri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Atëherë populli i Izraelit u nda në dy pjesë: gjysma e popullit shkonte pas Tibnit, birit të Ginathit, për ta bërë mbret; gjysma tjetër shkonte pas Omrit. Por populli që shkonte pas Omrit pati epërsi mbi popullin që ndiqte Tibnin, birin e Ginathit. Tibni vdiq dhe mbretëroi Omri. Në vitin e tridhjetenjëtë të Asas, mbretit të Judës, Omri filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet. Gjashtë vjet mbretëroi në Tirtsah, pastaj bleu nga Shemeri malin e Samarisë për dy talenta argjendi; ndërtoi në mal një qytetet të cilin e quajti Samaria, nga emri i Shemerit, zotëria i malit. Omri bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u soll më keq se të gjithë paraardhësit e tij; ndoqi tërësisht rrugën e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe mëkatet që ky kishte detyruar Izraelin t'i kryejë, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tij. Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Omri dhe trimëritë e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Pastaj Omrin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashabi.