Në vitin e njëzet e gjashtë të mbretërimit të Asait në Judë, Elahu, biri i Bashait, u bë mbreti i Izraelit dhe mbretëroi në Tircah për dy vjet. Zimriu, shërbëtori i Elahut dhe kreu ushtarak i gjysmës së karrocave të luftës, u ngrit kundër mbretit. Një herë, kur mbreti Elah ndodhej në Tircah dhe kishte pirë sa ishte dehur, në shtëpinë e Arcait, mbikëqyrësit të pallatit mbretëror të Tircahut, Zimriu shkoi dhe e goditi për vdekje në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës. Pas Elahut mbret u bë Zimriu.
Me t'u bërë mbret e me të hipur në fron, Zimriu shfarosi të gjithë familjen e Bashait dhe nuk la gjallë asnjë nga meshkujt, të afërmit apo miqtë e familjes. Zimriu e shfarosi krejt shtëpinë e Bashait, sipas fjalës që kishte thënë ZOTI për të përmes profetit Jeh. Shkak ishin mëkatet e Bashait dhe birit të tij, Elahut, të cilët jo vetëm mëkatuan vetë, por shtynë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur zemërimin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit, me idhujt e tyre të kotë. Bëmat e tjera të Elahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
Në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Zimriu u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për shtatë ditë në Tircah. Asokohe, ushtria kishte rrethuar Gibetonin, qytetin filistin. Kur dëgjuan se Zimriu kishte dalë kundër mbretit dhe e kishte vrarë, ushtarët e shpallën Omriun, kreun e ushtrisë, mbret të Izraelit që atë ditë në fushim. Atëherë Omriu dhe të gjithë izraelitët që ishin me të, marshuan nga Gibetoni në Tircah dhe e rrethuan. Kur pa se qyteti po pushtohej, Zimriu hyri në pallatin mbretëror e i vuri zjarrin, duke u djegur edhe vetë brenda. Ai vdiq për shkak të mëkateve dhe të ligësisë që kishte bërë në sytë e ZOTIT, duke u sjellë si Jeroboami, i cili mëkatoi vetë dhe shtyu edhe Izraelin në mëkat. Bëmat e tjera të Zimriut dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
Pas këtyre ndodhive, populli i Izraelit ishte i ndarë më dysh. Gjysma e popullit donte për mbret Tibniun, birin e Ginatit, ndërsa gjysma tjetër donte Omriun. Pjesa e popullit që përkrahte Omriun pati epërsi ndaj atyre që donin Tibniun, birin e Ginatit. Tibniu vdiq e mbret u bë Omriu. Në vitin e tridhjetëenjëtë të mbretërimit të Asait në Judë, Omriu u bë mbreti i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Izrael. Për gjashtë vjet mbretëroi nga Tircahu. Më pas Omriu bleu prej Shemerit malin e Samarisë për gjashtë mijë monedha argjendi e mbi të ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Samari, sipas emrit të Shemerit, të zotit të malit të Samarisë.
Omriu bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe u soll edhe më keq se të gjithë paraardhësit e tij. Ai u soll njëlloj si Jeroboami, biri i Nebatit, bëri të njëjtat mëkate si ai, e shtyu Izraelin në mëkat, e me idhujt e tyre të kotë ndezi zemërimin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Bëmat e tjera të Omriut, veprat dhe trimëritë e tij gjenden të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Omriu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi i biri, Ahabi.