Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 14:21-31

1 i Mbretërve 14:21-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Rehoboami, biri i Solomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për shtatëmbëdhjetë vjet në Jerusalem, në qytetin që ZOTI kishte zgjedhur ndër të gjitha fiset e Izraelit për të vendosur emrin e tij. Nëna e Rehoboamit quhej Naamë dhe ishte amonite. Edhe Juda bëri çka ishte keq në sytë e ZOTIT. Me mëkatet që bënë, e ndezën zemërimin e tij më shumë se paraardhësit e tyre. Ata ndërtuan për vete faltore në vende të larta dhe përmendore e shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë e nën çdo pemë gjethedendur. Në vend kishte edhe lavire kulti dhe pasardhësit e fisit të Judës bënë të gjitha ndyrësitë që kishin bërë edhe kombet, të cilat ZOTI i kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit, sulmoi Jerusalemin dhe plaçkiti thesaret e tempullit të ZOTIT, thesaret e pallatit mbretëror e gjithçka tjetër. Ai plaçkiti edhe të gjitha shqytet e arta që kishte punuar Solomoni. Në vend të tyre, mbreti Rehoboam bëri shqyte bronzi dhe ua dorëzoi krerëve të ushtarëve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. Sa herë që mbreti shkonte në tempullin e ZOTIT, ushtarët i merrnin shqytet dhe i kthenin sërish në vendin ku mbaheshin armët. Bëmat e tjera të Rehoboamit e gjithçka bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati përherë luftë. Rehoboami vdiq dhe u varros bashkë me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Nëna e tij quhej Naamë dhe ishte amonite. Pas tij mbretëroi i biri, Abijami.

1 i Mbretërve 14:21-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Roboami, bir i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur nga tërë fiset e Izraelit Ata të Judës bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; dhe me mëkatet që bënë shkaktuan xhelozinë e Zotit më tepër nga ç'kishin bërë etërit e tyre. Edhe ata ndërtuan vende të larta, shtylla dhe Asherimë në të gjitha kodrat e larta dhe poshtë çdo druri të gjelbër. Përveç kësaj, kishte në vend njerëz që jepeshin mbas kurvërisë së shenjtë. Ata merreshin me të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit. Në vitin e pestë të mbretit Roboam, mbreti i Egjiptit Shishaku doli kundër Jeruzalemit, dhe mori me vete thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror; mori me vete çdo gjë, duke përfshirë mburojat e arta që Salomoni kishte bërë. Në vend të tyre mbreti Roboam dha urdhër të bëheshin mburoja prej bronzi dhe ua dorëzoi komandantëve të rojeve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. Sa herë që mbreti hynte në shtëpinë e Zotit, rojet i çonin në sallën e rojeve. Pjesa tjetër e bëmave të Roboamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në Kronikat e mbretërve të Judës? U bë një luftë e pandërprerë midis Roboamit dhe Jeroboamit. Pastaj Roboamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. E ëma quhej Naamaha, ishte amonite. Në vend të tij mbretëroi i biri, Abijami.