Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 14:21-31

1 i Mbretërve 14:21-31 ALBB

Roboami, bir i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur nga tërë fiset e Izraelit Ata të Judës bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; dhe me mëkatet që bënë shkaktuan xhelozinë e Zotit më tepër nga ç'kishin bërë etërit e tyre. Edhe ata ndërtuan vende të larta, shtylla dhe Asherimë në të gjitha kodrat e larta dhe poshtë çdo druri të gjelbër. Përveç kësaj, kishte në vend njerëz që jepeshin mbas kurvërisë së shenjtë. Ata merreshin me të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit. Në vitin e pestë të mbretit Roboam, mbreti i Egjiptit Shishaku doli kundër Jeruzalemit, dhe mori me vete thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror; mori me vete çdo gjë, duke përfshirë mburojat e arta që Salomoni kishte bërë. Në vend të tyre mbreti Roboam dha urdhër të bëheshin mburoja prej bronzi dhe ua dorëzoi komandantëve të rojeve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. Sa herë që mbreti hynte në shtëpinë e Zotit, rojet i çonin në sallën e rojeve. Pjesa tjetër e bëmave të Roboamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në Kronikat e mbretërve të Judës? U bë një luftë e pandërprerë midis Roboamit dhe Jeroboamit. Pastaj Roboamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. E ëma quhej Naamaha, ishte amonite. Në vend të tij mbretëroi i biri, Abijami.