1 e Korintasve 16:5-24
1 e Korintasve 16:5-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Te ju do të vij pasi të kem kaluar nga Maqedonia, se dua të kaloj nga Maqedonia. Ka mundësi të qëndroj te ju, ose edhe të kaloj dimrin, që të më ndihmoni për të shkuar atje ku duhet të shkoj. Nuk dua t'ju shoh kalimthi, por shpresoj të rri ca kohë me ju, në e lejoftë Zoti. Në Efes do të qëndroj deri për Rrëshajë, sepse m'u dha një mundësi e madhe për të vepruar, megjithëse kundështarët janë të shumtë. Po të vijë Timoteu, kujdesuni që të rrijë te ju pa frikë, se edhe ai bën veprën e Zotit sikurse dhe unë. Mos ta përçmojë askush, por ndihmojeni të niset prej jush në paqe, që të vijë tek unë, sepse bashkë me vëllezërit e presim të vijë. Lidhur me vëlla Apolin, iu luta shumë që të vinte te ju bashkë me vëllezërit, por nuk donte kurrsesi të vinte tani, kështu që do të vijë kur të mundet. Rrini zgjuar, qëndroni të fortë në besim, bëhuni burra, jini të fortë! Bëni gjithçka me dashuri! Ju e njihni shtëpinë e Stefanait dhe e dini se është a para që besoi në Akai dhe se iu kushtua shërbesës për të shenjtët. Ju lutem, o vëllezër, t'u bindeni njerëzve të tillë dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë e që mundohen. Jam gëzuar shumë për ardhjen e Stefanait, Fortunatit dhe Akaikut, sepse ata plotësuan mungesën tuaj. Ata qetësuan shpirtin tim e tuajin, prandaj nderojini të tillë njerëz! Ju përshëndesin kishat e Azisë. Ju përshëndesin shumë, në emër të Zotit, Akuili e Priska, bashkë me kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre. Ju përshëndesin të gjithë vëllezërit. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time. Kush nuk do Zotin, mallkuar qoftë. Maranatha! Hiri i Zotit Jezu qoftë me ju! Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu!
1 e Korintasve 16:5-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Edhe unë do të vij te ju, pasi të kem kaluar nëpër Maqedoni. Dhe ndoshta do të rri te ju, ose edhe të dimëroj, që ju të më përcillni kudo që të shkoj. Sepse kësaj here nuk dua t'ju shoh vetëm kalimthi, por shpresoj të rri pak kohë pranë jush, në dashtë Zoti. Dhe unë do të rri në Efes deri për Rrëshajët, sepse m'u hap një derë e madhe dhe e efektshme, dhe kundërshtarë ka shumë. Tani, nëse vjen Timoteu, kujdesuni që të rrijë me ju pa druajtje, sepse ai punon për veprën e Zotit ashtu si unë. Pra, asnjë të mos e përçmojë, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres bashkë me vëllezërit. Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju bashkë me vëllezërit, por ai s'deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë. Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë. Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri! Tani, o vëllezër (ju e njihni familjen e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar shërbesës së shenjtorëve), ju bëj thirrje që t'u nënshtroheni edhe ju atyre dhe kujtdo që punon dhe mundohet në punën tonë të përbashkët. Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanas, të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata e plotësuan mungesën tuaj, sepse e freskuan frymën tim dhe tuajin; prandaj nderoni njerëz të tillë. Kishat e Azisë ju përshëndesin; Akuila dhe Prishila, bashkë me kishën që është në shtëpi të tyre, ju përshëndesin shumë në Zotin. Të gjithë vëllezërit ju përshëndesin; përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë. Të fala me shëndet me dorën time, të Palit. Nëse ndokush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maran-atha. Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju. Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu. Amen.