1 e Korintasve 15:35-49
1 e Korintasve 15:35-49 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dikush do të thotë: «Si do të ngjallen të vdekurit? Çfarë trupi do të kenë?». O i marrë! Fara që mbjell në arë, nuk merr jetë po nuk vdiq më parë. Ti nuk mbjell trupin që do të ketë bima në të ardhmen, por një kokërr të zhveshur gruri ose të ndonjë fare tjetër. Pastaj trupin ia jep Perëndia, ashtu siç dëshiron, dhe çdo farë ka trupin e vet. Jo çdo trup është i njëjtë me një trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve dhe tjetër ai i peshqve. Ka trupa qiellorë, ashtu siç ka edhe trupa tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë dhe tjetër shkëlqimi i trupave tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i diellit, tjetër shkëlqimi i hënës dhe tjetër shkëlqimi i yjeve, sepse ylli nga ylli ndryshon në shkëlqim. Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje e ngjallet në moskalbje, mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi, mbillet trup tokësor e ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror. Prandaj është shkruar: njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë shpirti që jep jetë. Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas. Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli. Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët. Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor.
1 e Korintasve 15:35-49 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por do të thotë ndonjë: ''Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç'trup do të vijnë?''. O i pamend! Atë që ti mbjell, nuk ngjallet, nëse nuk vdes përpara. Dhe atë që mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga grurë ose ndonjë farë tjetër. Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë trupin e vet. Jo çdo mish është i njëjti mish; por tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i bagëtive, tjetër i peshqve dhe tjetër i shpendëve. Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyre të tokës. Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli. Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror. Kështu edhe është shkruar: ''Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë. Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori. Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli. Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët. Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit.