Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 e Korintasve 15:35-49

1 e Korintasve 15:35-49 ALBB

Por do të thotë ndonjë: ''Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç'trup do të vijnë?''. O i pamend! Atë që ti mbjell, nuk ngjallet, nëse nuk vdes përpara. Dhe atë që mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga grurë ose ndonjë farë tjetër. Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë trupin e vet. Jo çdo mish është i njëjti mish; por tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i bagëtive, tjetër i peshqve dhe tjetër i shpendëve. Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyre të tokës. Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli. Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror. Kështu edhe është shkruar: ''Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë. Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori. Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli. Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët. Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit.