1 e Korintasve 15:3-34
1 e Korintasve 15:3-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Para së gjithash ju kam shpallur të vërtetën që m'u dha edhe mua, se Krishti, sipas Shkrimeve, vdiq për mëkatet tona, u varros dhe u ngjall ditën e tretë, po sipas Shkrimeve. Ai iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq njëherësh mbi pesëqind vëllezërve, nga të cilët disa kanë vdekur, por shumica jeton ende. Më pas iu shfaq Jakobit e pastaj të gjithë apostujve. Në fund, m'u shfaq edhe mua, dështakut. Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë, por me hirin e Perëndisë jam ai që jam dhe hiri i tij për mua nuk ka shkuar kot. Unë jam munduar më shumë se të gjithë ata, jo unë vetë, por hiri i Perëndisë bashkë me mua. Edhe unë, edhe ata, këtë kemi predikuar dhe këtë keni besuar edhe ju. Nëse predikojmë se Krishti u ngjall prej të vdekurve, si mund të thonë disa prej jush se të vdekurit nuk do të ngjallen? Nëse të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë edhe predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj është i kotë. Kështu, qenkemi dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmojmë kundër tij dhe themi se ka ngjallur Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, po të jetë se të vdekurit nuk u ngjallkan. Nëse nuk ngjallen të vdekurit, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë besimi juaj është i kotë dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja. Atëherë kanë humbur edhe ata që kanë vdekur e kanë besuar në Krishtin. Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë. Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve. Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu. Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin. Secili sipas radhës: në fillim Krishti dhe pastaj, kur ai të kthehet, të gjithë ata që janë të tijët. Pastaj do të vijë fundi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi të ketë shkatërruar çdo sundim, pushtet e fuqi. Ai duhet të mbretërojë derisa t'i nënshtrojë nën këmbë të gjithë armiqtë. Armiku i fundit që do të shkatërrohet do të jetë vdekja. Se gjithçka e nënshtroi nën këmbët e tij. Kur u tha «iu nënshtrua gjithçka», do të thotë gjithçka, përveç Perëndisë që bëri që Krishtit t'i nënshtrohet gjithçka. Kur gjithçka t'i jetë nënshtruar Krishtit, atëherë edhe vetë Biri do t'i nënshtrohet Perëndisë që bëri t'i nënshtrohet atij gjithçka, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë. Nëse nuk është kështu, përse disa pagëzohen për të vdekurit? Nëse qenka e vërtetë se të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë përse pagëzohen disa për ta? Përse e vëmë edhe ne veten në rrezik në çdo çast? Unë ndeshem me vdekjen çdo ditë, o vëllezër, dhe këtë e them nga krenaria që kam për ju, falë Krishtit Jezu, Zotit tonë. Nëse në Efes qenkam ndeshur me bishat për arsye njerëzore, ç'dobi më solli kjo? Nëse të vdekurit nuk ngjallen, atëherë: le të hamë e le të pimë, se nesër do të vdesim. Mos u mashtroni: shoqëritë e këqija prishin doket e mira. Ejani në vete e mos mëkatoni, se disa prej jush nuk e njohin Perëndinë dhe këtë e them për turpin tuaj.
1 e Korintasve 15:3-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m'u shfaq edhe mua, si në dështimit. Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë. Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua. Pra, si unë, ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat. Por, në qoftë se predikohet se Krishti u ringjall prej së vdekurish, si atëherë disa nga ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve? Në qoftë se nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk u ringjall. Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj. Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin, të cilin ai nuk e paska ringjallur, po të jetë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen. Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur; por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja, edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur. Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve. Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij Pastaj do të vijë fundi, kur ai t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja. Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë. Dhe kur t'i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t'i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë. Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit? Përse jemi edhe ne në rrezik në çdo orë? Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezu, Zotin tonë. Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç'dobi kam? Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim. Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira. Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.