Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve,
se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve,
edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.
Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë.
Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve.
Më së fundi m'u shfaq edhe mua, si në dështimit.
Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë.
Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua.
Pra, si unë, ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat.
Por, në qoftë se predikohet se Krishti u ringjall prej së vdekurish, si atëherë disa nga ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve?
Në qoftë se nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk u ringjall.
Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj.
Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin, të cilin ai nuk e paska ringjallur, po të jetë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen.
Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur;
por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja,
edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur.
Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve.
Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur.
Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.
Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,
por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij
Pastaj do të vijë fundi, kur ai t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi.
Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta.
Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.
Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë.
Dhe kur t'i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t'i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.
Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?
Përse jemi edhe ne në rrezik në çdo orë?
Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezu, Zotin tonë.
Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç'dobi kam? Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.
Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.
Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.