Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 e Korintasve 14:1-12

1 e Korintasve 14:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kërkoni që të fitoni dashurinë dhe dëshironi me zell dhuntitë shpirtërore, sidomos atë të profecisë. Ai që flet gjuhë të panjohur, nuk flet me njerëzit, por me Perëndinë, sepse nuk e kupton askush. Me fuqinë e Shpirtit ai thotë gjëra të fshehta, ndërsa ai që profetizon, u flet njerëzve me fjalë që rrisin shpirtërisht, nxisin e ngushëllojnë. Ai që flet gjuhë të panjohur, ndihmon veten për t'u rritur në besim, ndërsa ai që profetizon, ndihmon kishën për t'u rritur në besim. Do të doja që të gjithë ju të flisnit gjuhë të panjohura, por më shumë do të doja të profetizonit. Ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të panjohura, vetëm nëse ky e shpjegon gjuhën që flet, që kjo të shërbejë për rritjen e kishës. Nëse vij te ju, o vëllezër, duke folur në gjuhë të panjohura, çfarë dobie do të keni nëse nuk ju flas për ndonjë zbulesë, njohuri, profeci apo mësim? Nëse veglat muzikore që nuk kanë shpirt, fyelli apo qestja, nuk japin tinguj të qartë, si do të dallohet melodia e fyellit nga e qestes? Nëse trumbeta nuk lëshon tingull të qartë, kush do të bëhej gati për betejë? Po ashtu edhe ju, nëse flisni fjalë të pakuptueshme, kush do t'i kuptonte fjalët tuaja? Ato do të ishin fjalë në erë! Në botë ka larmi gjuhësh, por asnjëra nuk është pa kuptim. Nëse nuk e kuptoj gjuhën që më flasin, do të jem i huaj për atë që më flet dhe ai do të jetë i huaj për mua. Kështu edhe ju, meqë dëshironi shumë të keni dhunti shpirtërore, kërkoni që t'i keni me tepri për rritjen e kishës.

1 e Korintasve 14:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni, sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere. Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim. Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën. Unë dua që të gjithë ju të flisnit gjuhë, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh nga ai që flet gjuhë, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha. Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t'ju flisja në gjuhë, ç'dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim? Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes? Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë? Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha? Sepse do të flisnit në erë. Ka nuk e di se sa lloje zërash në botë, dhe asnjë prej tyre nuk është pa kuptim. Pra, në qoftë se unë nuk e marr vesh kuptimin e zërit, do të jem si një i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë një i huaj për mua. Kështu edhe ju, mbasi doni fort të keni dhunti frymërore, kërkoni që t'i keni të bollshme për ndërtimin e kishës.