Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Korintasve 14

14
Gjuhët dhe profecia
1Kërkoni që të fitoni dashurinë dhe dëshironi me zell dhuntitë shpirtërore, sidomos atë të profecisë. 2Ai që flet gjuhë të panjohur, nuk flet me njerëzit, por me Perëndinë, sepse nuk e kupton askush. Me fuqinë e Shpirtit ai thotë gjëra të fshehta, 3ndërsa ai që profetizon, u flet njerëzve me fjalë që rrisin shpirtërisht, nxisin e ngushëllojnë.
4Ai që flet gjuhë të panjohur, ndihmon veten për t'u rritur në besim, ndërsa ai që profetizon, ndihmon kishën për t'u rritur në besim. 5Do të doja që të gjithë ju të flisnit gjuhë të panjohura, por më shumë do të doja të profetizonit. Ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të panjohura, vetëm nëse ky e shpjegon gjuhën që flet, që kjo të shërbejë për rritjen e kishës.
6Nëse vij te ju, o vëllezër, duke folur në gjuhë të panjohura, çfarë dobie do të keni nëse nuk ju flas për ndonjë zbulesë, njohuri, profeci apo mësim? 7Nëse veglat muzikore që nuk kanë shpirt, fyelli apo qestja, nuk japin tinguj të qartë, si do të dallohet melodia e fyellit nga e qestes? 8Nëse trumbeta nuk lëshon tingull të qartë, kush do të bëhej gati për betejë?
9Po ashtu edhe ju, nëse flisni fjalë të pakuptueshme, kush do t'i kuptonte fjalët tuaja? Ato do të ishin fjalë në erë! 10Në botë ka larmi gjuhësh, por asnjëra nuk është pa kuptim. 11Nëse nuk e kuptoj gjuhën që më flasin, do të jem i huaj për atë që më flet dhe ai do të jetë i huaj për mua. 12Kështu edhe ju, meqë dëshironi shumë të keni dhunti shpirtërore, kërkoni që t'i keni me tepri për rritjen e kishës.
13Prandaj, ai që flet gjuhë të panjohur, të lutet që të marrë edhe dhuntinë për ta shpjeguar. 14Nëse lutem në gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, por mendja ime nuk bashkëvepron. 15Çfarë të bëj, atëherë? Do të lutem me shpirt, por do të lutem edhe me mendje. Do të këndoj himne me shpirt, por do të këndoj edhe me mendje.
16Sepse, nëse ti e bekon Perëndinë me shpirt, si do t'i përgjigjet «Amen» falënderimit tënd dëgjuesi i thjeshtë i bashkësisë, përderisa nuk i kupton ato që thua? 17Ti mund të bësh një lutje të bukur falënderimi, por tjetri nuk rritet në besim. 18E falënderoj Perëndinë, sepse flas më shumë gjuhë të panjohura se të gjithë ju, 19por në kishë dua të them pesë fjalë që kuptohen, që të tjerët të mësojnë më mirë, sesa dhjetë mijë fjalë në një gjuhë të panjohur.
20Vëllezër, mos u bëni si fëmijë nga mendja. Jini si foshnja para së keqes, por të pjekur nga mendja. 21Në ligj është shkruar:
«Këtij populli
do t'i flas me njerëz
që flasin gjuhë të tjera
dhe me gojën e të huajve,
por as kështu
nuk do tëdëgjojnë», thotë Zoti.
22Prandaj gjuhët nuk janë shenjë për ata që besojnë, por për ata që nuk besojnë, ndërsa profecia nuk është për ata që nuk besojnë, por për ata që besojnë. 23Nëse mblidhet kisha në një vend e të gjithë flasin gjuhë të panjohura dhe po të hyjnë aty njerëz që nuk dinë ose që nuk besojnë, a nuk do të thonë se jeni marrosur? 24Por nëse të gjithë do të profetizojnë dhe aty hyn ndonjë që nuk beson apo nuk di, atëherë ai do të ndihet i qortuar dhe i dënuar nga ato që dëgjon. 25Të fshehtat e zemrës së tij do të shfaqen dhe duke rënë me fytyrë përdhe do të adhurojë Perëndinë e do të thotë: «Perëndia është me të vërtetë mes jush».
Gjithçka me rregull
26Çfarë duhet bërë atëherë, o vëllezër? Kur të mblidheni së bashku, dikush mund të këndojë një himn, dikush mund të japë një mësim, dikush mund të ketë një zbulesë, dikush një gjuhë të panjohur dhe dikush një shpjegim të gjuhës. Të gjitha le të bëhen për rritjen shpirtërore të kishës. 27Nëse dikush dëshiron të flasë në gjuhë të panjohur, le të flasin dy ose e shumta tre veta, njëri pas tjetrit, dhe njëri të shpjegojë. 28Po të mos ketë ndonjë që mund të shpjegojë, atëherë ai që flet në gjuhë të panjohur të heshtë në kishë dhe të flasë me veten e me Perëndinë.
29Nga profetët të flasin dy ose tre, ndërsa të tjerët të gjykojnë ato që thuhen. 30Por nëse ndonjëri nga ata që rrinë ulur ka ndonjë zbulesë, atëherë ai që është duke folur, le të heshtë. 31Një nga një të gjithë mund të profetizoni, që të mësojnë dhe të marrin zemër të gjithë. 32Profetët duhet ta zotërojnë mirë dhuntinë që u është dhënë, 33sepse Perëndia nuk është Perëndi trazirash, por paqeje.
Ashtu siç ndodh në të gjitha kishat e të shenjtëve, 34gratë le të heshtin në kishë. Atyre nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, siç thotë ligji. 35Nëse duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është turp për gruan të flasë në kishë. 36A thua doli nga ju fjala e Perëndisë, apo mbërriti vetëm te ju?
37Nëse ndokush mendon se është profet apo njeri shpirtëror, ai duhet ta kuptojë se këto që ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. 38Kush nuk i pranon, të mos pranohet. 39Kështu, vëllezërit e mi, kërkoni më shumë të profetizoni, por mos ndaloni të flitet në gjuhë të panjohura. 40Gjithçka të bëhet siç ka hije dhe me rregull.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Korintasve 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë