Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin?
Mendjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejt.
Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.
Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.
Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.
Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.
Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.
Pashë caqet e çdo gjëje të përsosur, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.
Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.
Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.
Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.
Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.
Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.
Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.
Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.
Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.
Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.
Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.
O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.
Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.
Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga urdhërimet e tua.
Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.
Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.
Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.
Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.
Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.
Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.
Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.
Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.
Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.
Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.
Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mendjemëdhenjtë të më shtypin.
Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
Është koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
Për këtë arsye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
Për këtë arsye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.