Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t'i treguar ndërtesat e tempullit.
Por Jezusi u tha atyre: ''A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet''.
Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?''.
Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!
Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur.
Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.
Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes.
Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim.
Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhtojnë njëri-tjetrin dhe do të urrejnë njëri-tjetrin.
Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t'i ftohet dashuria;
por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.
Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''.
''Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
Kush ndodhet mbi tarracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t'u japin gji fëmijëve në ato ditë!
Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Është atje", mos i besoni.
Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t'i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.
Ja, unë ju paralajmërova.
Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni.
Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.
Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat''.