Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 24:1-28

Mateu 24:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi». «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen. Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, por, ja, unë ju paralajmërova. Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët».

Mateu 24:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t'i treguar ndërtesat e tempullit. Por Jezusi u tha atyre: ''A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet''. Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?''. Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ruhuni se mos ju mashtron ndokush! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur. Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme. Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes. Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhtojnë njëri-tjetrin dhe do të urrejnë njëri-tjetrin. Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t'i ftohet dashuria; por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet. Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''. ''Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë), atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male. Kush ndodhet mbi tarracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet; dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij. Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t'u japin gji fëmijëve në ato ditë! Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën, sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë! Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen. Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Është atje", mos i besoni. Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t'i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. Ja, unë ju paralajmërova. Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni. Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut. Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat''.