Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.
Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpa dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".
Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!".
Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?".
Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë.
Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''.
Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten''.
Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE".
Tani një nga keqbërësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''.
Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''.
Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''.
Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''.
Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.
Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.
Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma.
Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''.
Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.
Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galileja qëndronin larg, duke parë këto gjëra.
Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë;
ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimateja, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.
Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit.
Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.
Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.
Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galileja duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit;
pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.