Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 18:18-43

Luka 18:18-43 ALBB

Një nga krerët e pyeti duke thënë: ''Mësues i mirë, ç'duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?''. Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"''. Dhe ai tha: ''Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia''. Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''. Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur. Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''. Dhe ata që e dëgjonin thanë: ''Po kush, pra, mund të shpëtohet?''. Por ai tha: ''Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë''. Pastaj Pjetri tha: ''Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''. Dhe ai u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë, që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme''. Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen. Ai, pra, do t'u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë. Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë''. Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë. Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte; dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte; iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti. Atëherë ai bërtiti duke thënë: ''O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua''. Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: ''O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua''. Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdhëroi t'ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti duke thëne: ''Çfarë dëshiron të bëj për ty?''. Dhe ai tha: ''Zot, të rimarr dritën e syve''. Dhe Jezusi i tha: ''Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi''. Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.