Luka 18:18-43
Luka 18:18-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur. Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë». Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër». Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet. Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet». Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha. Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte. Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte. Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit». Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!». Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.
Luka 18:18-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Një nga krerët e pyeti duke thënë: ''Mësues i mirë, ç'duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?''. Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"''. Dhe ai tha: ''Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia''. Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''. Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur. Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''. Dhe ata që e dëgjonin thanë: ''Po kush, pra, mund të shpëtohet?''. Por ai tha: ''Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë''. Pastaj Pjetri tha: ''Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''. Dhe ai u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë, që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme''. Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen. Ai, pra, do t'u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë. Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë''. Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë. Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte; dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte; iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti. Atëherë ai bërtiti duke thënë: ''O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua''. Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: ''O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua''. Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdhëroi t'ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti duke thëne: ''Çfarë dëshiron të bëj për ty?''. Dhe ai tha: ''Zot, të rimarr dritën e syve''. Dhe Jezusi i tha: ''Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi''. Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.