Jobi 34
34
1Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
2"Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
3Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
4Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
5Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
6A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
7Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
8që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
9Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
10Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
11Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
12Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
13Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
14Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
15çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
16Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
17A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
18Ai që i thotë një mbreti: "Je për t'u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
19Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
20Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
21Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
22Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
23Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta këqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
24Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
25Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
26i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
27sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
28derisa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
29Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
30për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?
31Dikush mund t'i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;
32tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?
33A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.
34Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:
35"Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".
36Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,
37sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".
Aktualisht i përzgjedhur:
Jobi 34: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr