Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 6:1-21

Gjoni 6:1-21 ALBB

Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës. Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit. Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij. Dhe Pashka, festa e judenjve ishte afër. Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ''Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?''. Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç'do të bënte. Filipi iu përgjigj: ''Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë''. Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha: ''Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç'janë këto për aq njerëz?''. Dhe Jezusi tha: ''Bëjini njerëzit të ulen!''. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë. Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falënderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën. Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë''. I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë. Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë''. Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm. Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit. Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë. Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë. Por ai u tha atyre: ''Jam unë, mos druani!''. Ata, pra, deshën ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.