Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 37

37
1Por Jakobi banoi në vendin ku i ati kishte qëndruar, në vendin e kanaanenjve.
2Këta janë pasardhësit e Jakobit. Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; i riu rrinte me bijën e Bilhahës dhe me bijtë e Zilpahës, që ishin gratë e babait të tij. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre.
3Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobë të gjatë deri te këmbët.
4Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t'i flisnin në mënyrë miqësore.
5Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër.
6Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë.
7Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi".
8Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij.
9Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: "Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje".
10Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç'kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?".
11Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë.
12Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem.
13Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".
14Izraeli i tha: "Shko të shikosh në se vëllezërit e tu janë mirë dhe në se kopeja shkon mirë, dhe kthehu të më japësh përgjigje". Kështu e nisi në luginën e Hebronit dhe ai arriti në Sikem.
15Ndërsa ai endej në fushë, një burrë e gjeti dhe e pyeti: "Çfarë kërkon?".
16Ai u përgjigj: "Jam duke kërkuar vëllezërit e mi; të lutem më trego se ku ndodhen duke kullotur bagëtinë".
17Ai burrë i tha: "Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thoshin: "Të shkojmë në Dothan"". Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan.
18Ata e panë së largu, dhe para se t'u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë.
19Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi!
20Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç'përfundim do të kenë ëndrrat e tij".
21Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: "Nuk do ta vrasim".
22Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t'ia shpënë të atit.
23Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rroba e gjatë që i arrinte deri te këmbët;
24pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda.
25Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t'i çuar në Egjipt.
26Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç'dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij?
27Ejani, t'ia shesim ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.
28Ndërsa po kalonin ata tregtarë midianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt.
29Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i shqeu rrobat e tij.
30Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?".
31Kështu ata morën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak.
32Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rroba e birit tënd".
33Dhe ai e njohu dhe tha: "Është rroba e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë".
34Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë.
35Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: "Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi". Kështu e qau i ati.
36Ndërkaq midianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 37: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr