Ligji i Përtërirë 5
5
1Moisiu mblodhi tërë Izraelin dhe i tha: "Dëgjo, Izrael, statutet dhe dekretet që unë shpall sot në veshët e tu me qëllim që ti t'i mësosh dhe të zotohesh t'i zbatosh.
2Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb.
3Zoti e lidhi këtë besëlidhje jo me etërit tanë, por me ne që jemi këtu të gjithë të gjallë.
4Zoti ju foli në sy në mal, nga mesi i zjarrit.
5Unë ndodhesha atëherë midis Zotit dhe jush për t'ju referuar fjalën e tij, sepse ju patët frikë nga zjarri dhe nuk u ngjitët në mal. Ai tha:
6"Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
7Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje.
8Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës.
9Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t'u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,
10por tregohem i dashur ndaj mijëra njerëzish që më duan dhe respektojnë urdhërimet e mia.
11Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk ka për ta lënë të padënuar atë që përdor emrin e tij kot.
12Respekto ditën e shtunë për të shenjtëruar, ashtu siç të ka porositur Zoti, Perëndia yt.
13Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënde,
14por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau, as gomari, asnjë nga kafshët e tua, dhe të huajt që ndodhen brenda portave të shtëpisë sate, me qëllim që shërbëtori dhe shërbëtorja jote të çlodhen si ti.
15Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.
16Do të nderosh atin dhe nënën tënde ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të gëzosh begatinë në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.
17Nuk do të vrasësh.
18Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.
19Nuk do të vjedhësh.
20Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.
21Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd, as arën, as shërbëtorin, as shërbëtoren, as kaun, as gomarin dhe asnjë send që janë pronë e tij".
22Këto fjalë tha Zoti përpara tërë asamblesë tuaj, nga mesi i zjarrit, të resë dhe të errësirës së dendur, me zë të fortë; dhe nuk shtoi tjetër. I shkroi mbi dy pllaka prej guri dhe mi dha mua.
23Kur ju dëgjuat zërin në mes të errësirës, ndërsa mali ishte tërë flakë, ju m'u afruat, gjithë prijësit e fiseve dhe pleqtë tuaj,
24dhe thatë: "Ja, Zoti, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhërinë e tij, dhe ne dëgjuam zërin e tij nga mesi i zjarrit; sot kemi parë që Perëndia mund të flasë me njeriun dhe ky të mbetet i gjallë.
25Po pse duhet të vdesim? Ky zjarr i madh në të vërtetë do të na gllabërojë; në rast se vazhdojmë të dëgjojmë akoma zërin e Zotit, të Perëndisë tonë, ne kemi për të vdekur.
26Sepse, midis gjithë njerëzve, kush është ai që, si ne, ka dëgjuar zërin e Perëndisë të gjallë të flasë në mes të zjarrit dhe ka mbetur i gjallë?
27Afrohu ti dhe dëgjo të gjitha ato që Zoti, Perëndia ynë, do të të thotë, dhe ne do ta dëgjojmë dhe do të bëjmë ato që kërkon ai".
28Zoti dëgjoi tingullin e fjalëve tuaja ndërsa më flisnit; kështu Zoti më tha: "Unë dëgjova tingullin e fjalëve që ky popull të drejtoi; çdo gjë që ata thanë është mirë.
29Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!
30Shko dhe u thuaj: Kthehuni në çadrat tuaja.
31Por ti qëndro këtu me mua dhe unë do të të tregoj tërë urdhërimet, tërë statutet dhe dekretet që do t'u mësosh atyre, me qëllim që t'i zbatojnë në vendin që unë po u jap si trashëgimi".
32Kini pra kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;
33ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar, që të jetoni, të keni mbarësi dhe të zgjatni ditët tuaja në vendin që do të pushtoni".
Aktualisht i përzgjedhur:
Ligji i Përtërirë 5: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr