Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i Përtërirë 10

10
1"Në atë kohë Zoti më tha: "Pre dy pllaka prej guri të njëllojta me të parat dhe ngjitu tek unë në mal; bëj një arkë prej druri.
2Unë do të shkruaj mbi pllakat fjalët që ishin mbi pllakat e para që ti copëtove, dhe ti do t'i vësh në arkë".
3Kështu bëra një arkë prej dru akacieje dhe preva dy pllaka prej guri të njëllojta me të parat; pastaj u ngjita në mal me dy pllakat në dorë.
4Dhe Zoti shkroi mbi pllakat atë që kishte shkruar herën e parë, domethënë dhjetë urdhërimet që Zoti kishte shpallur për ju në mal, në mes të zjarrit, ditën e asamblesë. Pastaj Zoti m'i dorëzoi mua.
5Atëherë u ktheva dhe zbrita nga mali; i vura pllakat në arkën që kisha bërë; dhe ato ndodhen aty, ashtu si më kishte urdhëruar Zoti.
6(Bijtë e Izraelit u nisën nga puset e bijve të Jakaanit në drejtim të Moserahut. Aty vdiq Aaroni dhe aty u varros; dhe Eleazari bir i tij, u bë prift në vend të tij.
7Që andej u nisën në drejtim të Gudgodahut dhe nga Gudgodahu për në Jotbathah, vendi me rrjedha ujore.
8Në atë kohë Zoti veçoi fisin e Levit për ta mbartur arkën e besëlidhjes së Zotit, për të qenë përpara Zotit dhe për t'i shërbyer, si dhe për të bekuar në emër të tij deri ditën e sotme.
9Prandaj Levi nuk ka pjesë, as trashëgimi me vëllezërit e tij; Zoti është trashëgimia e tij, ashtu si Zoti, Perëndia yt, u kishte premtuar).
10Unë mbeta në mal dyzet ditë e dyzet net me radhë si herën e parë; Zoti më dëgjoi edhe këtë herë dhe nuk pranoi të të shkatërrojë.
11Atëherë Zoti më tha: "Çohu, nis rrugën në krye të popullit, që ata të futen e të pushtojnë vendin që jam betuar t'u jap etërve të tyre".
12Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t'i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,
13dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj.
14Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejt, qiejt e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban;
15por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe mbas tyre midis tërë popujve zgjodhi pasardhësit e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot.
16Prandaj do të rrethpritni lafshën e zemrës suaj dhe nuk do ta fortësoni më qafën tuaj;
17sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zoti i zotërve, Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është i anshëm dhe nuk pranon dhurata,
18që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje.
19Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.
20Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t'i shërbesh atij, do të jesh lidhur ngushtë me të dhe do të betohesh me emrin e tij.
21Ai është lavdia jote, ai është Perëndia yt, që ka bërë për ty ato gjëra të mëdha dhe të tmerrshme që sytë e tua i kanë parë.
22Etërit e tu zbritën në Egjipt në një numër që nuk i kapërcente të shtatëdhjetë personat; dhe tani Zoti, Perëndia yt, të ka shumëzuar si yjet e qiellit".

Aktualisht i përzgjedhur:

Ligji i Përtërirë 10: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë