Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Amosi 2

2
1Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Moabit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka djegur kockat e mbretit të Edomit, duke i katandisur në gëlqere.
2Prandaj do të dërgoj zjarr në Moab, që do të gllabërojë pallatet e Keriothit, dhe Moabi do të vdesë në mes të rrëmujës, të britmës së luftës dhe të tingullit të borive.
3Do të shfaros nga mesi i tij gjykatësin dhe do të vras tërë krerët e tij bashkë me të", thotë Zoti.
4Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Judës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse kanë përçmuar ligjin e Zotit dhe nuk kanë respektuar statutet e tij. Kështu idhujt, pas të cilëve shkuan etërit e tyre, i kanë bërë të devijojnë.
5Prandaj do të dërgoj zjarr në Judë, që do të gllabërojë pallatet e Jeruzalemit".
6Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Izraelit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e shesin me pare të drejtin dhe të varfrin për një palë sandale,
7ata që dëshirojnë fort të shohin pluhurin e tokës mbi kryet e të varfërve dhe shkelin të drejtën e të përulurve. Një njeri dhe ati i tij shkojnë bashkë te po ajo vajzë, për të përdhosur emrin tim të shenjtë.
8Shtrihen rreth çdo altari me rroba që kanë marrë hua dhe në shtëpinë e perëndive të tyre pinë verën e atyre që janë dënuar me gjobë.
9Unë, pra, e shkatërrova para tyre amoreun, që ishte i gjatë sa është i gjatë cedri dhe ishte fortë si lisi; unë shkatërrova frytin e tij lart dhe rrënjët e tij poshtë.
10Unë ju nxora gjithashtu nga vendi i Egjiptit dhe ju çova për dyzet vjet në shkretëtirë, për t'ju dhënë në trashëgimi vendin e amoreut.
11Nxora disa profetë midis bijve tuaj dhe nazirenj midis të rinjve tuaj. Vallë, nuk është kështu, o bij të Izraelit?", thotë Zoti.
12"Por i keni detyruar nazirenjtë të pinë verë dhe i keni urdhëruar profetët duke thënë: "Mos profetizoni".
13Unë jam i shtypur poshtë jush, ashtu siç është e shtypur qerrja e mbushur me duaj.
14Prandaj i shpejti nuk do të ketë mundësi të ikë, i forti nuk do të konsolidojë forcën e tij dhe njeriu trim nuk do ta shpëtojë jetën e tij.
15Kush përdor harkun nuk do të mund të rezistojë, kush ka këmbë të shpejta nuk do t'ia dalë të ikë, as ka për të shpëtuar jetën e vet kalorësi mbi kalë.
16Atë ditë më trimi ndër trimat do të ikë lakuriq", thotë Zoti.

Aktualisht i përzgjedhur:

Amosi 2: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr