Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua.
Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.
Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.
Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.
Mos ia privoni njëri-tjetrit, përveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t'i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetëkontrollit tuaj.
Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim,
sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu.
Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë,
por në qoftë se s'kanë vetëkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh.
Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri,
dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.
Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.
Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë,
sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.
Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe.
Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç'di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?
Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat.
A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet.
Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.
Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.
A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.
Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.
Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.
Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.