Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Kronikave 16:8-36

1 i Kronikave 16:8-36 ALBB

Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve. Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij. Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin! Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij! Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij, ju, o stërnipa të Izraelit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij! Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij i gjejmë mbi të gjithë tokën. Mos harroni kurrë besëlidhjen e tij, fjalën e tij të urdhëruar për një mijë breza, besëlidhjen e lidhur me Abrahamin, betimin që i ka bërë Isakut, që ia konfirmoi Jakobit si një statut dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, duke thënë: "Unë do t'ju jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj". kur nuk ishin veçse një numër i vogël, fare i pakët dhe të huaj në vend. Kur shkonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër, ai nuk lejoi që ndokush t'i shtypte; përkundrazi dënoi disa mbretër për dashurinë që ushqente për ta, duke thënë: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi". Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij! Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve! Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është më i tmerrshmi nga tërë perënditë. Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejt. Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij. Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë. Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij; dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet. Le të gëzohen qiejt dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron". Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të; atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar". I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë