Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 15

15
Tradita e të parëve
(Mk 7.1-23)
1Farisenjtë dhe shkruesit erdhën te Jezui nga Jerusalemi e i thanë: 2«Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e të parëve? Ata nuk i lajnë duart kur hanë». 3Jezui u përgjigj: «Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj? 4Se Perëndia ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. 5Por ju thoni: “Kush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë, 6ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar të atin#15.6 dorëshk. të tjera edhe: apo të ëmën”. Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë. 7Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha:
8 ky popull më nderon me buzë,
por zemrat e tyre janë larg meje.
9 Më kot më nderojnë,
përderisa japin si mësim të Zotit
urdhrat e njerëzve».
10Pastaj e thirri turmën pranë vetes e tha: «Dëgjoni e merrni vesh! 11Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot çfarë del prej saj».
12Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se u je bërë pengesë farisenjve kur e kanë dëgjuar këtë gjë?». 13Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë. 14Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».
15Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë». 16Jezui tha: «Ende nuk e keni kuptuar? 17A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet? 18Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun. 19Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme e fyerjet. 20Këto e ndotin njeriun e jo ngrënia me duar të palara».
Besimi i gruas kananite
(Mk 7.24-30)
21Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit. 22Dhe ja, një grua kananite, nga ajo krahinë, shkoi e i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli». 23Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur». 24Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». 25Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!». 26Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». 27Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve». 28Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast.
Shërimi i shumë njerëzve
29Jezui u largua që andej e shkoi bregut të liqenit të Galilesë. U ngjit në mal dhe u ul aty. 30Turma të mëdha erdhën tek ai duke sjellë me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, memecë e shumë të tjerë. I ulën te këmbët e tij dhe ai i shëroi. 31Kështu turmat u mrekulluan kur panë memecët që po flisnin, të gjymtuarit që shëroheshin, të çalët që ecnin, të verbrit që shikonin dhe përlëvduan Perëndinë e Izraelit.
Ushqimi i katër mijë vetave
(Mk 8.1-10)
32Pastaj Jezui thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t'i lë të shkojnë të uritur e të mbeten rrugës». 33Dishepujt i thanë: «Ku ta gjejmë gjithë atë bukë në shkretëtirë për të ushqyer tërë këtë turmë?». 34Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë bukë e disa peshq të vegjël». 35Pasi urdhëroi turmën të ulej përdhe, 36mori shtatë bukët dhe peshqit, tha lutjen e falënderimit, i theu bukët, ua dha dishepujve e dishepujt ua dhanë turmave. 37Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe morën me vete shtatë shporta me copat që tepruan. 38Ata që hëngrën ishin katër mijë burra, përveç grave e fëmijëve. 39Jezui i shpërndau turmat, hipi në varkë e shkoi në krahinën e Magadanit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 15: AL

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr