Mateu 13
13
Mbjellësi
(Mk 4.1-9; Lk 8.4-8)
1Po atë ditë Jezui doli nga shtëpia dhe u ul në breg të liqenit#13.1 ose: detit. 2Turma të mëdha u mblodhën pranë tij. Ai hipi në një varkë e u ul, ndërsa e tërë turma qëndronte në breg. 3Jezui u tregoi shumë gjëra me shëmbëlltyra e u tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë. 4Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. 5Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, 6por u vyshkën kur doli dielli e ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. 7Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8Fara të tjera ranë në tokë të mirë e dhanë fryt, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetë e disa tridhjetë. 9Kush ka veshë, le të dëgjojë».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mk 4.10-12; Lk 8.9-10)
10Pastaj erdhën dishepujt e i thanë: «Përse u flet me shëmbëlltyra?». 11Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre jo. 12Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do të ketë me tepri, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 13Atyre u flas me shëmbëlltyra, sepse megjithëse shikojnë, nuk shohin dhe megjithëse dëgjojnë, nuk marrin vesh e as kuptojnë. 14Te këta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:
do të dëgjoni,
por s'do të kuptoni,
do të shikoni,
por s'do të shihni.
15 Sepse zemra e këtij populli
është mpirë,
veshët e tyre dëgjojnë me vështirësi
dhe sytë i kanë të mbyllur,
që të mos shohin me sy,
të mos dëgjojnë me veshë,
të mos kuptojnë me zemër
dhe që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
16Por lum sytë tuaj, që shohin, e veshët tuaj, që dëgjojnë. 17Me të vërtetë po ju them se shumë profetë e njerëz të drejtë dëshiruan të shihnin çfarë po shihni ju e nuk panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk dëgjuan».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mk 4.13-20; Lk 8.11-15)
18«Ju e dëgjuat shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu e i rrëmben çka është mbjellë në zemrën e tij. Ky është fara që u mboll në rrugë. 20Ajo që u mboll në gurishtë është ai që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë plot gëzim, 21por nuk ka rrënjë në vetvete dhe është i përkohshëm, kështu që kur vjen mundimi apo përndjekja për shkak të fjalës, bie menjëherë. 22Ajo që u mboll mes ferrash është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj jete dhe joshja e pasurisë ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. 23Ajo që u mboll në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën dhe e kupton. Ai jep fryt e prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetë e tjetri tridhjetë».
Egjra dhe gruri
24Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet, 25por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua. 26Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra. 27Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”. 28Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku”. Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”. 29Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin. 30Le të rriten të dyja bashkë deri në të korra dhe kur të vijë koha e të korrave, do t'u them korrësve: korrni më parë egjrën, lidheni në tufëza për t'i djegur, ndërsa grurin mblidheni në grunar”».
Fara e sinapit dhe tharmi
(Mk 4.30-32; Lk 13.18-21)
31Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me një farë sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32Ajo është më e vogla ndër të gjitha farërat, por pasi rritet, është më e madhja ndër barishtet e bëhet pemë, saqë zogjtë e qiellit vijnë e bëjnë fole në degët e saj».
33U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».
Dobia e shëmbëlltyrave
(Mk 4.33-34)
34Jezui ua tha turmave të gjitha këto gjëra me shëmbëlltyra e nuk u fliste pa shëmbëlltyra, 35që të përmbushet çfarë është thënë përmes profetit:
do të flas me shëmbëlltyra,
do të tregoj çfarë ishte e fshehur
që nga fillimi i botës.
Shpjegimi i shëmbëlltyrës së egjrës
36Pastaj Jezui i la turmat e shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai e i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë». 37Ai u përgjigj: «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut, 38ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut. 39Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt. 40Ashtu siç mblidhet e digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës. 41Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që bëhet pengesë e të gjithë ata që bëjnë paudhësi 42dhe do t'i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh. 43Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë».
Tri shëmbëlltyra
44«Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë.
45Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur, 46i cili, me të gjetur një margaritar të shtrenjtë, shkoi, shiti gjithçka pati dhe e bleu.
47Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji. 48Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta. 49Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët, 50e do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
Thesaret e reja dhe të vjetra
51«A i kuptuat të gjitha këto?». Ata iu përgjigjën: «Po#13.51 dorëshk. të tjera edhe: o Zot». 52Atëherë ai u tha: «Prandaj çdo shkrues që është bërë dishepull i mbretërisë së qiejve i ngjan të zotit të shtëpisë, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra».
Profeti dhe vendlindja
(Mk 6.1-6; Lk 4.16-30)
53Si mbaroi së treguari këto shëmbëlltyra, Jezui u largua që andej. 54Kur erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre. Ata mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vjen gjithë kjo urti e kjo fuqi për të bërë mrekulli? 55A nuk është ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet Mari nëna e tij? A nuk janë vallë Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda vëllezërit e tij? 56Po motrat e tij a nuk janë të gjitha këtu te ne? Nga i vijnë këtij të gjitha këto?». 57Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Profeti nuk përçmohet askund përveçse në vendlindjen e në shtëpinë e vet». 58Aty nuk bëri shumë mrekulli, për shkak të mosbesimit të tyre.
Aktualisht i përzgjedhur:
Mateu 13: AL
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020