Kënga e këngëve 2
2
1Unë jam vjollcë Sharoni,
lilak lugine jam unë.
Ai
2Si lilak mes drizash,
ashtu është mes vajzash mikja ime.
Ajo
3Si pema e mollës mes pemëve të pyllit,
ashtu është mes djemve i shtrenjti im.
Me ëndje nën hije të tij u ula
e fryti i tij qiellzën ma ëmbëlton.
4Te qilari i verës mua më çoi
e mbi mua ngriti flamurin e dashurisë.
5Mbamëni me kuleç rrushi të thatë,
përtërimëni me mollë,
se më flashku mua dashuria.
6Me dorën e majtë kokën ai ma mban
e me të djathtën më përqafon.
7Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit,
pash sorkadhet a sutat e fushës:
mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë
deri kur t'ia ketë ënda.
Poema e dytë
8Një zë! I shtrenjti im!
Ja, po vjen, duke u hedhur nëpër male,
duke u tundur nëpër kodra.
9Ngjan si kaproll, i shtrenjti im,
ose porsi zog drenushe.
Ja, rri prapa murit tonë,
nga dritarja ai përgjon,
përmes hekurash vështron.
10Flet i shtrenjti im e më thotë:
«Ngrihu, mikja ime, bukuroshja ime, e eja!
11Se, ja, dimri iku e vate,
pushoi shiu e kaloi,
12çelën lulet nëpër ara,
erdhi koha për të harrur#2.12 ose: koha për të kënduar
e nëpër korijet tona
zëri i turtullit dëgjohet.
13Fiku i poqi kokrrat e para,
çeli hardhia e po erëmon:
ngrihu e eja, mikja ime,
bukuroshja ime, eja!
14Oh, pëllumbesha ime,
që nëpër plasa shkrepash fshihesh
e nëpër strofkat e rrëpirës,
shfaqma mua pamjen tënde,
jepma tingullin e zërit tënd,
se zëri yt i ëmbël është
e joshëse është pamja jote.
15Na i zini neve dhelprat,
na i zini dhelpërushët,
që vreshtat po batërdisin,
vreshtat tona luleçelur».
16Imi është i shtrenjti im,
edhe unë jam e atij,
që kullot përmes lilakëve.
17Pa pushuar era e ditës
e para se të zhduken hijet,
kthehu, o i shtrenjti im,
si kaproll, si zog drenushe,
në bjeshkët erëmira.
Aktualisht i përzgjedhur:
Kënga e këngëve 2: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020