Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruta 4:1-12

Ruta 4:1-12 AL1

Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul. Në atë kohë po kalonte i afërmi tjetër për të cilin kishte folur. Boazi i tha: «O mik, eja e ulu këtu». Ai u kthye dhe u ul. Mori edhe dhjetë nga pleqtë e qytetit e u tha: «Uluni këtu!». Ata u ulën. Pastaj i tha të afërmit tjetër: «Naomi, që u kthye nga krahina e Moabit, ka nxjerrë në shitje pjesën e arës që i takon vëllait tonë Elimelekut. Mendova të të vë në dijeni që ta blesh në prani të këtyre që janë ulur këtu e të pleqve të popullit tim. Nëse do ta blesh, blije; nëse nuk do, më thuaj, që ta di. Të drejtën për ta trashëguar e ke ti, por pas teje e kam unë». Ai i tha Boazit: «Do ta blej». Atëherë Boazi i tha: «Ditën që do të marrësh arën nga dora e Naomit, do të marrësh edhe Rutën, moabite, gruan e të ndjerit, e do të mbash gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij». Ai iu përgjigj: «Atëherë, nuk e blej dot, sepse nuk dua të shkatërroj trashëgiminë time. Merre ti të drejtën time, sepse unë nuk mund ta blej». Asokohe, në Izrael, për blerjen e të drejtës së trashëgimisë dhe për ndryshimin e titullit të pronësisë, zakoni e donte të hiqej sandalja dhe t'i jepej tjetrit në shenjë miratimi për çdo marrëveshje. Në Izrael, kjo shërbente si provë. Kështu, i afërmi që kishte të drejtën e trashëgimisë i tha Boazit: «Blije ti» dhe hoqi sandalen. Boazi u tha pleqve dhe të gjithë popullit që ishte aty: «Sot jeni dëshmitarë se unë po blej nga dora e Naomit gjithçka që i përkiste Elimelekut dhe gjithçka që i përkiste Kilionit e Mahlonit. Po ashtu sot jeni dëshmitarë se po marr për grua Rutën nga Moabi, të venë e Mahlonit, për të mbajtur gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij, që emri i të ndjerit të mos shuhet mes emrave të të vëllezërve dhe mes banorëve të qytetit». Pleqtë dhe të gjithë ata që ishin te portat e qytetit thanë: «Jemi dëshmitarë. Gruan që do të hyjë në shtëpinë tënde ZOTI e bëftë si Rakelën dhe si Lean, që e mbushën me pasardhës shtëpinë e Izraelit. U pasurofsh në Efratë dhe emri yt qoftë i njohur në Betlehem! Nga pasardhësi që do të të japë ZOTI prej kësaj gruaje, u bëftë shtëpia jote si shtëpia e Perecit që i lindi Judës nga Tamara!».