Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruthi 4:1-12

Ruthi 4:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul. Në atë kohë po kalonte i afërmi tjetër për të cilin kishte folur. Boazi i tha: «O mik, eja e ulu këtu». Ai u kthye dhe u ul. Mori edhe dhjetë nga pleqtë e qytetit e u tha: «Uluni këtu!». Ata u ulën. Pastaj i tha të afërmit tjetër: «Naomi, që u kthye nga krahina e Moabit, ka nxjerrë në shitje pjesën e arës që i takon vëllait tonë Elimelekut. Mendova të të vë në dijeni që ta blesh në prani të këtyre që janë ulur këtu e të pleqve të popullit tim. Nëse do ta blesh, blije; nëse nuk do, më thuaj, që ta di. Të drejtën për ta trashëguar e ke ti, por pas teje e kam unë». Ai i tha Boazit: «Do ta blej». Atëherë Boazi i tha: «Ditën që do të marrësh arën nga dora e Naomit, do të marrësh edhe Rutën, moabite, gruan e të ndjerit, e do të mbash gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij». Ai iu përgjigj: «Atëherë, nuk e blej dot, sepse nuk dua të shkatërroj trashëgiminë time. Merre ti të drejtën time, sepse unë nuk mund ta blej». Asokohe, në Izrael, për blerjen e të drejtës së trashëgimisë dhe për ndryshimin e titullit të pronësisë, zakoni e donte të hiqej sandalja dhe t'i jepej tjetrit në shenjë miratimi për çdo marrëveshje. Në Izrael, kjo shërbente si provë. Kështu, i afërmi që kishte të drejtën e trashëgimisë i tha Boazit: «Blije ti» dhe hoqi sandalen. Boazi u tha pleqve dhe të gjithë popullit që ishte aty: «Sot jeni dëshmitarë se unë po blej nga dora e Naomit gjithçka që i përkiste Elimelekut dhe gjithçka që i përkiste Kilionit e Mahlonit. Po ashtu sot jeni dëshmitarë se po marr për grua Rutën nga Moabi, të venë e Mahlonit, për të mbajtur gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij, që emri i të ndjerit të mos shuhet mes emrave të të vëllezërve dhe mes banorëve të qytetit». Pleqtë dhe të gjithë ata që ishin te portat e qytetit thanë: «Jemi dëshmitarë. Gruan që do të hyjë në shtëpinë tënde ZOTI e bëftë si Rakelën dhe si Lean, që e mbushën me pasardhës shtëpinë e Izraelit. U pasurofsh në Efratë dhe emri yt qoftë i njohur në Betlehem! Nga pasardhësi që do të të japë ZOTI prej kësaj gruaje, u bëftë shtëpia jote si shtëpia e Perecit që i lindi Judës nga Tamara!».

Ruthi 4:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul aty. Dhe ja, po kalonte ai që kishte të drejtën e shpengimit dhe për të cilin Boazi kishte folur. Boazi i tha: "O ti biri i filanit, afrohu dhe ulu këtu". Ai u afrua dhe u ul. Boazi mori atëherë dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha atyre: "Uluni këtu". Ata u ulën. Pastaj Boazi i tha atij që kishte të drejtën e shpengimit: "Naomi, që u kthye nga vendi i Moabit, ka shitur pjesën e tokës që i përkiste vëllait tonë Elimelek. Mendova të të informoj dhe të të them: "Blije në prani të banorëve të vendit dhe të pleqve të popullit tim. Në rast se do ta shpengosh, shpengoje; por në rast se nuk ke ndër mend ta shpengosh, ma thuaj që ta di edhe unë; sepse asnjeri veç teje nuk gëzon të drejtën e shpengimit, dhe pas teje vij unë"". Ai u përgjigj: "Do të kërkoj të drejtën time". Atëherë Boazi tha: "Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij". Ai që gëzonte të drejtën e shpengimit u përgjigj: "Unë nuk mund ta shpengoj për vete, sepse do të shkatërroj trashëgiminë time; shpengo ti atë që duhet të shpengoja unë, sepse unë nuk mund ta shpengoj". Ky ishte zakoni në kohërat e kaluara në Izrael lidhur me të drejtën e shpengimit dhe të ndryshimit të pronësisë: personi hiqte sandalen dhe ja jepte tjetrit; kjo ishte mënyra e dëshmisë në Izrael. Kështu ai që gëzonte të drejtën e shpengimit i tha Boazit: "Blije ti vetë", dhe hoqi sandalen. Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: "Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit. Gjithashtu bleva për grua Ruthin, moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij, me qëllim që emri i të ndjerit të mos shuhet midis vëllezërve të tij dhe në portën e qytetit të tij. Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti. Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: "Ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem. Shtëpia jote u bëftë si shtëpia e Peretsit, që Tamara i lindi Judës, për shkak të pasardhësve që Zoti do të të japë nga kjo e re".