Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 3:10-26

Romakëve 3:10-26 AL1

sikurse është shkruar: asnjeri nuk është i drejtë, as edhe një. Nuk gjendet asnjë që kupton. Nuk gjendet asnjë që kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha dhe janë rrënuar. Asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një i vetëm. Gryka e tyre është varr i hapur. Me gjuhë kanë mashtruar. Nën buzë kanë helm nepërkash. Gojën e kanë plot mallkime e hidhësi. Këmbët e tyre vrapojnë për të derdhur gjak. Në udhët e tyre ka rrënim e mjerim. Udhën e paqes nuk e kanë njour, frikën e Perëndisë nuk e kanë parasysh. Ne e dimë se çfarëdo që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën këtë ligj, kështu që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të gjykohet prej Perëndisë. Asnjeri nuk do të bëhet i drejtë para Perëndisë nga veprat që urdhëron ligji, sepse nëpërmjet këtij ligji vjen vetëm njohja e mëkatit. Por tani na është shfaqur se Perëndia na bën të drejtë pa ndërmjetësinë e ligjit, gjë që e kanë dëshmuar ligji e profetët. Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të. Perëndia nuk bën dallim mes judenjve dhe helenëve, sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë. Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati. Perëndia e kushtoi Jezuin si fli pajtimi, që përmes besimit në gjakun e tij të tregojë drejtësinë e tij për faljen e mëkateve të kryera më parë. Në atë kohë Perëndia ishte i duruar me mëkatin, ndërsa në kohën e tanishme ai dëfton sesi i bën të drejtë njerëzit, duke dashur të tregojë se është vetë i drejtë dhe se bën të drejtë ata që besojnë në Jezuin.