Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 3:10-26

Romakëve 3:10-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

sikurse është shkruar: asnjeri nuk është i drejtë, as edhe një. Nuk gjendet asnjë që kupton. Nuk gjendet asnjë që kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha dhe janë rrënuar. Asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një i vetëm. Gryka e tyre është varr i hapur. Me gjuhë kanë mashtruar. Nën buzë kanë helm nepërkash. Gojën e kanë plot mallkime e hidhësi. Këmbët e tyre vrapojnë për të derdhur gjak. Në udhët e tyre ka rrënim e mjerim. Udhën e paqes nuk e kanë njour, frikën e Perëndisë nuk e kanë parasysh. Ne e dimë se çfarëdo që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën këtë ligj, kështu që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të gjykohet prej Perëndisë. Asnjeri nuk do të bëhet i drejtë para Perëndisë nga veprat që urdhëron ligji, sepse nëpërmjet këtij ligji vjen vetëm njohja e mëkatit. Por tani na është shfaqur se Perëndia na bën të drejtë pa ndërmjetësinë e ligjit, gjë që e kanë dëshmuar ligji e profetët. Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të. Perëndia nuk bën dallim mes judenjve dhe helenëve, sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë. Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati. Perëndia e kushtoi Jezuin si fli pajtimi, që përmes besimit në gjakun e tij të tregojë drejtësinë e tij për faljen e mëkateve të kryera më parë. Në atë kohë Perëndia ishte i duruar me mëkatin, ndërsa në kohën e tanishme ai dëfton sesi i bën të drejtë njerëzit, duke dashur të tregojë se është vetë i drejtë dhe se bën të drejtë ata që besojnë në Jezuin.

Romakëve 3:10-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; nuk ka frikë Perëndie para syve të tyre''. Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit. Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.