Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe të mos bëjmë ç'na pëlqen neve. Secili prej nesh të bëjë çfarë i pëlqen të afërtit, për të mirën e tij, që ai të këndellet në besim. Sepse edhe Krishti nuk bëri çfarë i pëlqente atij, por siç është shkruar: sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua. Gjithçka që u shkrua më parë, u shkrua për mësimin tonë, që nëpërmjet durimit e ngushëllimit, që na japin Shkrimet, të kemi shpresë. Perëndia i durimit e i ngushëllimit dhëntë që ju të jeni në një mendje me njëri-tjetrin sipas Krishtit Jezu, në mënyrë që, një mendjeje e njëzëri, të përlëvdoni Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht.
Prandaj pranojeni njëri-tjetrin sikurse Krishti ju pranoi, që të përlëvdohet Perëndia. Po ju them se Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të përmbushur premtimet e dhëna etërve dhe për të treguar se Perëndia është i vërtetë. Ai erdhi edhe që kombet të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij, sikurse është shkruar:
prandaj do të të përlëvdoj
ndër kombe
dhe do të lavdëroj
emrin tënd.
Përsëri thotë:
ngazëlloni, o kombe,
me popullin e Perëndisë.
Dhe sërish:
lavdëroni Zotin
të gjitha ju kombe
dhe të gjithë popujt
e lavdërofshin atë!
Isaia thotë edhe:
do të vijë rrënja e Jeseut,
ai që do të ngrihet
për të sunduar kombet.
Në të do të shpresojnë kombet.
Perëndia i shpresës ju mbushtë plot me gëzim e paqe në besimin tuaj, në mënyrë që me fuqinë e Shpirtit të shenjtë të jeni plot me shpresë.
Sa për ju, vëllezërit e mi, jam i bindur se jeni plot me mirësi, plot me dije dhe të aftë për të këshilluar njëri-tjetrin. Në disa pjesë të letrës ju shkrova më me ashpërsi për t'ju kujtuar ato që tashmë ju i njihni. E bëra këtë me hirin që më ka dhënë Perëndia për të qenë shërbëtor i Krishtit Jezu për kombet, për të shërbyer si prift për ungjillin e Perëndisë, në mënyrë që kombet të bëhen fli kushtimi që i pëlqen Perëndisë dhe që është e shenjtëruar prej Shpirtit të shenjtë.
Prandaj, falë Krishtit Jezu, unë krenohem me gjithçka që bëj për Perëndinë. Nuk do të guxoja të flisja për asgjë tjetër përveçse për ato që bëri Krishti përmes meje, që t'i sillte në bindje ndaj Perëndisë kombet. Këtë e bëra me fjalë e me vepra, me fuqinë e shenjave e të mrekullive dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë. Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri. Jam përpjekur të shpall ungjillin atje ku emri i Krishtit nuk njihej, në mënyrë që të mos ndërtoja mbi themelin e tjetërkujt