Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 15:1-20

Romakëve 15:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe të mos bëjmë ç'na pëlqen neve. Secili prej nesh të bëjë çfarë i pëlqen të afërtit, për të mirën e tij, që ai të këndellet në besim. Sepse edhe Krishti nuk bëri çfarë i pëlqente atij, por siç është shkruar: sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua. Gjithçka që u shkrua më parë, u shkrua për mësimin tonë, që nëpërmjet durimit e ngushëllimit, që na japin Shkrimet, të kemi shpresë. Perëndia i durimit e i ngushëllimit dhëntë që ju të jeni në një mendje me njëri-tjetrin sipas Krishtit Jezu, në mënyrë që, një mendjeje e njëzëri, të përlëvdoni Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht. Prandaj pranojeni njëri-tjetrin sikurse Krishti ju pranoi, që të përlëvdohet Perëndia. Po ju them se Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të përmbushur premtimet e dhëna etërve dhe për të treguar se Perëndia është i vërtetë. Ai erdhi edhe që kombet të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij, sikurse është shkruar: prandaj do të të përlëvdoj ndër kombe dhe do të lavdëroj emrin tënd. Përsëri thotë: ngazëlloni, o kombe, me popullin e Perëndisë. Dhe sërish: lavdëroni Zotin të gjitha ju kombe dhe të gjithë popujt e lavdërofshin atë! Isaia thotë edhe: do të vijë rrënja e Jeseut, ai që do të ngrihet për të sunduar kombet. Në të do të shpresojnë kombet. Perëndia i shpresës ju mbushtë plot me gëzim e paqe në besimin tuaj, në mënyrë që me fuqinë e Shpirtit të shenjtë të jeni plot me shpresë. Sa për ju, vëllezërit e mi, jam i bindur se jeni plot me mirësi, plot me dije dhe të aftë për të këshilluar njëri-tjetrin. Në disa pjesë të letrës ju shkrova më me ashpërsi për t'ju kujtuar ato që tashmë ju i njihni. E bëra këtë me hirin që më ka dhënë Perëndia për të qenë shërbëtor i Krishtit Jezu për kombet, për të shërbyer si prift për ungjillin e Perëndisë, në mënyrë që kombet të bëhen fli kushtimi që i pëlqen Perëndisë dhe që është e shenjtëruar prej Shpirtit të shenjtë. Prandaj, falë Krishtit Jezu, unë krenohem me gjithçka që bëj për Perëndinë. Nuk do të guxoja të flisja për asgjë tjetër përveçse për ato që bëri Krishti përmes meje, që t'i sillte në bindje ndaj Perëndisë kombet. Këtë e bëra me fjalë e me vepra, me fuqinë e shenjave e të mrekullive dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë. Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri. Jam përpjekur të shpall ungjillin atje ku emri i Krishtit nuk njihej, në mënyrë që të mos ndërtoja mbi themelin e tjetërkujt

Romakëve 15:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t'i pëlqejmë vetes. Secili nga ne le t'i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim, sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: ''Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua''. Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë. Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njëri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit, që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht. Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë. Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve, dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: ''Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t'i këndoj lavdërime emrit tënd!''. Dhe përsëri ai thotë: ''Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij''. Dhe përsëri: ''Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt''. Dhe përsëri Isaia thotë: ''Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!''. Dhe Perëndia i shpresës le t'ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë! Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin. Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t'ju kujtoj për hirin që m'u dha prej Perëndisë, që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë. Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë. Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t'i sjell në bindje johebrenjtë me fjalë dhe me vepër, me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit, duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit.