Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 14:13-23

Romakëve 14:13-23 AL1

Prandaj të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por më mirë të kemi kujdes për të mos i vënë vëllait as lak, as pengesë. Unë e di dhe jam i bindur prej Zotit Jezu se asgjë nuk është e papastër vetvetiu. Por nëse dikush e vlerëson diçka si të papastër, atëherë ajo është e papastër për të. Nëse vëllai yt lëndohet për shkak të ushqimit tënd, atëherë ti nuk po sillesh më me dashuri ndaj tij. Për shkak të ushqimit mos e ço drejt humbjes vëllanë tënd, për të cilin vdiq Krishti. Mos bëni që të shahet çka është e mirë për ju. Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët e të pirët, por drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin e shenjtë. Kush i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Perëndisë dhe miratohet prej njerëzve. Prandaj, të kërkojmë gjërat që sjellin paqen dhe rritjen shpirtërore të të gjithëve. Mos e shkatërro veprën e Perëndisë për shkak të ushqimit. Të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, me ushqimin e tij, bëhet gur pengese për tjetrin. Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë e as të mos bësh ndonjë gjë tjetër që do të bëhej gur pengese për vëllanë tënd. Besimin që ke, mbaje për vete para Perëndisë. Lum ai që nuk e dënon ndërgjegjja për ushqimet që zgjedh të hajë. Por kush është me dy mendje për sa i përket ushqimit, e megjithatë ha, ai është i dënuar, se nuk vepron sipas asaj që beson. Gjithçka që nuk vjen prej besimit, është mëkat.